“Me dhimbje për Vlorën dhe Gjirokastrën”, Duka në krah të FIFA-s: Por këto klube duhet të paguajnë lojtarët…

Presidenti i FSHF-së Armand Duka u pajtua me vendimin e FIFA-s për bllokimin e merkatos për dy klubet e futbollit shqiptar Flamurtarit dhe Luftëtarit për shkak se nuk kanë paguar plotësisht disa prej ish-futbollistëve të tyre. Në “Forumin e Futbollit” të mbajtur në Universitetin Europian të Tiranës, kreu i FSHF-së shton se këto klube duhet të zbatojnë rekomandimet e futbollit botëror për të paguar futbollistët e vet. Madje ai shkoi më tej duke thënë se ato klube që nuk kanë financa të qëndrueshme duhet të shpallin falimentin.


“Klubet e futbollit profesionist nuk duhet të kenë me bilance negative. Bilancet negative ndikojnë dhe te pagesat e atyre që luajnë futboll dhe çdo njeri ka të drejtën të paguhet për punën që bën. Tashmë, përderisa flasim për një futboll profesionist, nuk ka të drejtë askush që të mos i paguajë futbollistët.

Një nga rregullatorët ndërkombëtarë, pra jo vetëm të FSHF-së, është FIFA që merr disa masa parandaluese për të mos arritur në nivele akoma dhe më të këqija. Në rast përsëritje të shkeljeve, më konkretisht mospagimin e futbollistëve, FIFA vepron, të jep paralajmërime, të jep detyrim për të paguar dhe nëse nuk paguan, të bllokohet merkato.

Flamurtari dhe Luftëtari janë në fazën e parafundit të këtyre që unë thashë. Nëse nuk i paguajnë detyrimet ndaj futbollistë, unë nuk di ta them datën fiks, atëherë nuk kanë të drejtë të bëjnë merkato. Deri më sot që ne flasim, këto dy klube kanë detyrime të papaguara, nuk kanë bërë asnjë lëvizje në merkato dhe nuk mund të bëjnë merkato. Nëse deri në afatin e përcaktuar, nuk janë në atë fazën e fundit, nuk mund të vazhdojnë merkaton. Brenda afatit të përcaktuar, nëse arrijnë të bëjnë pagesat, atëherë mund të rikthehen në merkato.

Mendoj se është e drejtë, pavarësisht se është e dhimbshme. Dikush thotë: ‘Jo po u penalizua ky qytet, apo ai tifozi’. Po ky futbollisti, që ka luajtur 1 vit ose më shumë, a nuk ka të drejtë të paguhet?! Me dhimbje me Gjirokastrën dhe me Vlorën, por duhen mbrojtur të drejtat e futbollistëve dhe të kemi organizata sportive të shëndetshme. Organizatat sportive të pashëndetshme, më mirë të eliminohen, sesa të vazhdojnë të zvarriten”, përfundoi presidenti i FSHF-së Armand Duka.