Siç ndodh gjithmonë, edhe çështja “Xhisiela” do të përdorej për audiencë televizive. E para media që “e kapi” Xhisielën ishte Report TV. Në emër të mbrojtjes së një vajze të dhunuar, intervista u transmetua e kriptuar deri diku, me shpinë nga kamera për vajzën. Në fakt, nuk ishte e vështirë të kuptohej se vajza nga Nikla po fliste pikërisht atë që duhej të fliste… Meritat natyrisht, i mori një emër i njohur si Muhamed Veliu.
Nga ai moment, kureshtja e publikut për të njohur Xhisielën “misterioze” rritej. Për disa orë, edhe disa ditë, identiteti i saj u ruajt me fanatizëm. Deri sa në lojë u fut fuqishëm politika që e vendosi në mes vajzën dhe gradualisht e kthyen në kauzë të kacafytjes politike. E kur temperatura arriti kulmin, Xhisiela duhej të shfaqej përsëri. Këtë herë jo me shpinë, por me zë dhe me figurë. Ishte një televizion kombëtar si Top Channel që njoftoi intervistën ekskluzive me Xhisielën. Meritën duhej apo pritej ta merrte një tjetër emër i njohur si Eni Vasili.
Pak përpara kësaj interviste, doli një tjetër, e zbardhur deri diku në faqen në Facebook të Opinion. Ihste investuar direkt Blendi Fevziu. Nuk ka asnjë dyshim se beteja ishte për audiencën, në një intervistë të një vajze që do tëshfaqej për herë të parë e plotë: me pamje dhe me rrëfimin e saj, bazuar në pyetjet e gazetarëve të mirënjohur.
Në këto tre rrëfime të Xhisielës, secili ka mundësinë të besojë atë që dëshiron por edhe të mos besojë asnjërën. Pas këtyre intervistave, tre media jo të parëndësishme si Report TV, Klan TV dhe Top Channel, nisën “sherrin”. Që të tre flasin në emër të moralit, mbrojtjes së viktimave të dhunës. Por realisht, që të treja kanë patur në thelb kapjen e audiencës.
Sa i takon vertetësisë së intervistës, më parë duhet sqaruar se kush e detyroi Xhisielën të dalë para mediabe herën e parë, herën e dytë por edhe të tretën. Madje, dy herë brenda pak orëve në Klan dhe TCH. Sipas meje, asnjëra nga intervistat nuk ka qenë e vertetë. Prandaj edhe debati për moralin e tyre apo veprime- mosveprimeve të gazetarëve e mediave, nuk ka asnjë vlerë. Report TV në shumë raste, mund të konsiderohet zgjatim “i pavarur” i ERTV. Tashmë është e qartë se politika editoriale e kësaj media, përcaktohet nga zyra e komunikimit e qeverisë. Top Channel është pozicionuar haptas në oponencë me qeverinë Rama, edhe pse me benjaminin e tij Veliaj i kanë punët vaj. Nga ana tjetër, Klan me Opinion duket më i ekulibruar, por edhe në atë intervistë nuk mund të gjejmë të vertetën që kërkojmë për Xhisielën e historinë e saj.
Ajo që është e pakuptimtë, lidhet me betejën edhe përmes portaleve, në mes këtyre mediave por edhe përkrahësve të tyre respektivë. Edhe në këtë rast, kam përshtypjen se është çëeshtje audience. Ndoshte edhe për ndonjë klikim më shumë. Ngjason mjaft me atë shprehjen që përdorim në Shkodër ku lavirja i thotë shoqes së vet “ma mbaj pak kopilin, sa ti them asaj tjetrës kurvë”. /Nga Blerti DELIJA/
P.S. Çdo ngjashmëri me emra, personazhe, ngjarje, institucione të jetës reale, është thjeshtë rastësi. Sepse çdo gjë në këtë shkrim është “fiction”.