Gledis Çeliku nuk ka pranuar të vazhdojë deri në shtator mandatin e deputetit të lënë vakant pas dorëheqjes së Tom Doshit menjëherë pas zgjedhjeve të 25 prillit. Sot Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirin Celibashi ka komunikuar vendimin e tij, pasi që Çeliku nuk ka dorëzuar brenda afatit 20 maj formularin e dekriminalizimit në KQZ. Informacione jo zyrtare bëjnë me dije se Çeliku nuk e ka dorëzuar me dëshirë formularin, për të nisur një mandat të plotë në shtator me konstituimin e Kuvendit të ri.
Po kush mund të vazhdojë mandatin e lënë nga Tom Doshi? Për këtë, duhet referuar listës së depozituar nga PSD në KQZ në vitin 2017 për Qarkun e Shkodrës. Pas Çelikut, lista vijon me një zonjë, Jetmira Rraboshta dhe Ervis Gjeloshi. Aktualisht, Rraboshta është pjesë e Këshillit Bashkiak si përfaqësuese të PSD- së. Në këto rrethana, vështirë të pranojë marrjen e mandatit, i cili zgjat deri me 15 shtator 2021, teksa në fund të këtij muaji përfundon edhe legjislatura aktuale. I bie, të jetë deputete vetëm për pushimet verore, kur parlamenti nuk funksionon.
Me shumë mundësi, rradha do tio vijë Gjeloshit, i cili edhe mund ta pranojë marrjen e mandatit, edhe pse vetëm për disa javë. Nga ana tjetër, nuk është çudi që të refuzojnë të gjithë marrjen e mandatit të lënë nga Doshi, jo vetëm për kohëzgjatjen e shkurtër të tij por edhe në shenjë respekti e vlerësimi për kryetarin e PSD- së. Ndërkohë që do të pasohet kalimi nga një emër tek tjetri, do të përfundojë edhe aktiviteti i këtij parlamenti, duke mos bërë të mundur zëvendësimin e Doshit. Nga një kandidat i listës tek tjetri, ka një afat për dorëzimin e formularit të dekriminalizimit, i cili për të gjithë kandidatët, me siguri është më i gjatë se jeta e këtij Kuvendi. Natyrisht, këto janë vetëm hamendësime pasi vendimin e merr dikush tjetër.