Këshilli i Qarkut të Kukësit i ka hequr titullin Qytetar Nderi publicistit me zë në Kosovë, Veton Surroi, titull i dhënë pak vite më parë. Duke reaguar për këtë, kryeministri Edi Rama e konsideroi lajthitje kolektive vendimin, duke kërkuar nga Perfekti që ta refuzojë. Rama thotë gjithashtu se Parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve.
Reagimi në Twitter: “Vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit është një lajthitje kolektive që uroj Prefekti do ta refuzojë! Ndërkohë Parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve.
Ky vend s’mund të jetë një planet më vete brenda botës që e ka sistemuar me kohë e me vakt këtë punë, ku s’ka president që jep medalje për heronjtë e luftërave të shkuara se kështu i thotë koka dhe s’ka këshill që ia heq titullin dikujt me kërkesë të disave! Boll me këtë absurd!”
Titulli ishte dhënë në vitin 2015. Kërkesa iu drejtua Këshillit të Qarkut nga dy prej anëtarëve drejtuar kryebashkiakut Safet Gjici. Sipas kryebashkiakut, heqja e titulli është më se e arsyeshme për shkak të fushatës së tij kundër UÇK-së.
Kreu i Qarkut Kukës, Avdullah Domi tha se propozimi u miratua me shumicë votash.
“Ajo çfarë po bën z. Surroi shkon në kundërshtim me vlerat universale dhe patriotike të zonës sonë dhe konkretisht Qarkut të Kukësit duke sulmuar luftën e drejtë të UÇK-së”, është shprehur Domi.