Me 9 shtator 2021, më shumë se një vit më parë, u bë me dije se Fondi Shqiptar i Zhvillimit hapi garën (tenderin) për kompaninë e ndërtimit që do të zbatonte projektin për ndërtimin e rrugës Shirokë- Zogaj. Me 22 tetor të atij viti, do të duhej të shpallej fituesi që do të ndërtonte rrugën shumë të rëndësishme jo vetëm për Shirokën e Zogajt por edhe turizmin në Shkodër.
Me 21 korrik 2022, Bashkia Shkodër organizoi Dëgjesën Publike për Projektin “Ndërtimi i Rrugës Shirokë- Zogaj- Kufi”. Gjatë atij takimi, zyrtarë të Bashkisë Shkodër bënë me dije se punimet për ndërtimin e rrugës do të fillojnë brenda pak javësh, teksa banorë të zonës dhe jo vetëm, ngritën shqetësimin e shpronësimit të mundshëm ku do të kalojë rruga.
Sot, kur jemi në ditët e para të nëntorit, punimet nuk kanë nisur akoma. Burime pranë Bashkisë Shkodër bëjnë me dije se do të nisin brenda këtij muaji në trasenë e rrugës. Por deri tani, nuk ka asnjë shenjë që kjo të ndodhë. Është përgjegjësi e FSHZH- së dhe Bashkisë Shkodër të përshpejtojë procesin dhe jo vetëm në aspektin e vlerës turistike. Po ashtu, edhe deputetët e qarkut të Shkodrës kanë detyrimin të pershpejtojnë fillimin e punimeve.
Ndërtimi i rrugës, me kosto rreth 40 milion euro, është mundësuar nga një kredi e marrë nga qeveria nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe një grant nga Bashkimi Evropian. Nëse punimet nuk fillojnë deri në fund të këtij viti, granti rrezikon të digjet. Atëherë rruga rreth 6 km, 6 metra e gjerë me korsi biçiklete dhe trotuar për këmbësorët, do të mbetet thjeshtë një projekt i bukur në letër. Qoftë edhe në versionin 3D.