Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat mbrëmjen e sotme, tha se lajmi për shtyrjen për të tretën herë radhazi të vendimit për hapjen e negociatave me BE-në është një lajm i hidhur edhe pse ishte i pritshëm.
Duke u ndalur tek përgjimet e publikuara nga “Bild”, Basha tha se ata treguan se “kemi prekur fundin”, ndërsa shtoi se zgjidhja e vetme është ndëshkimi nëpërmjet drejtësisë.
Basha deklaroi se nga kriza politike nuk mund të dilet duke ruajtur pandëshkueshmërinë. Ai tha se kthimi në normalitetin politik kalon nga dhomat e burgut për politikanët e lidhur me k.rimin dhe politikanët e korruptuar.
“Ka një përpjekje të koordinuar për ta kaluar këtë pa reaguar, thjesht si një skandal më shumë, si një gjë që nuk kemi çfarë t’i bëjmë, ndaj duhet ta lemë të kalojë. Një nga arsyet pse e keqja tek ne përsëritet është sepse ne nuk reflektojmë mbi të dhe të mësojmë nga gabimet për të mos i përsëritur më. Humbja e busullës morale e ka normalizuar të keqen mes nesh dhe e ka humbu reagimin.
Duket se kemi prekur fundin. Nëse nuk do të reagojmë tani e keqja do të sundojë mbi çdo gjë. Nuk duhet dhe nuk do ta lejojmë këtë gjë. Këtë herë nuk do të kalojë më si më parë. Kjo gjendje nuk do të kalojë pa një ndryshim të thellë.
Shumë njerëz pyesin: po cila është zgjidhja?
Përgjigja e vetme është: drejtësia. Ndëshkimi i të gjithë atyre që kanë bashkëpunuar në mënyrë kriminale për vjedhjen e votës. Vetëm kështu do të mbyllim kapitullin famëkeq të manipulimit të zgjedhjeve.
Zgjidhja e vetme është: ndëshkim përmes drejtësisë. Kur miratuam reformën në drejtësi, ne e kishim seriozisht dhe ishim të bindur se një drejtësi e pastër dhe e pavarur është zgjidhja që na duhet, sepse thelbi i problemeve tona si shoqëri është pandëshkueshmëria, është fakti që politikanët, të pasurit dhe të fortit janë mbi ligjin, janë vetë ligji, kurse njerëzit e thjeshtë janë viktimat, që nuk i mbron as ligji dhe asgjë.
Pandëshkueshmëria e politikanëve dhe e kriminelëve duhet të mbarojë dhe do të mbarojë tani. Fatkeqësisht, drejtësia po mungon në Shqipëri. Fatkeqësisht, ajo që prisnim nga reforma në drejtësi, është rrënuar nga kapja e drejtësisë nga Edi Rama. Por kjo nuk mund të zgjasë më, sepse nga kjo krizë nuk mund të dilet duke ruajtur pandëshkueshmërinë. Këtë herë kthimi në normalitetin politik, kalon nga dhomat e burgut për politikanët e lidhur me krimin dhe politikanët e korruptuar. Këto ditë po dëgjoj histori dhe propozime nga më të çuditshmet për daljen nga kriza. Po dëgjoj të riciklohen teori dhe sllogane që në Shqipëri kanë dështuar plot herë për të kuruar dhe parandaluar krizat, sepse ato kanë vënë pazarin mbi parimin, sepse ato kanë devijuar nga rruga e ligjit, nga rruga e drejtësisë. Shteti i së drejtës, barazia para ligjit, është e vetmja garanci për lirinë, demokracinë dhe mirëqeverisjen”, tha Basha.