Pas zhvendosjes së protestës pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Monika Kryemadhi ka dalë nga zyrat duke thënë se do të presin deri sa të lirohen 14 të rinjtë e shoqëruar për verifikim. Kryemadhi, e shoqëruar nga Gazmend Bardhi, tha se Edi Ramën e ka kapur frika dhe paniku, dhe se kjo është shenjë që qeveria ka rënë. Ajo deklaroi se sot ishte një protestë shumë paqësore dhe se nuk kishte asnjë arsye për të shoqëruar qytetarët protestues.
“Jemi këtu për të treguar që cdo ditë dhe më shumë frika dhe paniku në të cilën është përfshirë Edi Rama dhe grupi i tij, e bën të bëjë gabim njëri pas tjetrit. Ka shoqëruar 14 djem, nuk kanë bërë asgjë, sot ka qenë protestë paqësore, ka pasur dashuri dhe respekt ndaj policisë. Paniku dhe frika e makthet e Ramës detyron segmentet e policisë, për të arrestuar fëmijët e shqiptarëve.
Të dalin djemtë sa më shpejt. Jemi ktu dhe nuk do ndalojmë asnjë sekond, deri sa të dalin, sepse nuk kanë bërë asgjë. I bëj thirrje policisë të arrestojnë Gjiknurin.. cdo njeri që grabit shqiptarët, jo fëmijët e shqiptarëve.
Janë shoqëruar për verifikim, por ne po i presim sa më shpejt të dalin.
Ajo që më bën përshtypje, është frika dhe paniku që ka kapur ramën, kjo është edhe shenjë që qeveria ka rënë.
Lleshaj është bërë qesharak dhe për këtë më vjen keq, më sa di ai po bëhet gati për t’u bërë kryeministër që kur ka filluar të japë leksione të hapur në Universitete”, tha Kryetarja e LSI.