Këtë vit të ri akademik, universitetet publike në vend do të hapin dyert për studentët me 41 degë studimi të mbyllura e me 7000 kuota të paplotësuara. Të dhënat alarmante që dëshmojnë qartë tkurrjen e universiteteve publike zbardhen nga studimi i organizatës “Qëndresa Qytetare” sipas së cilës në universitetin e Gjirokastrës do të mbyllen 13 degë, në atë të Elbasanit 12, në universitetin e Shkodrës do të mbyllen 6 degë dhe në universitetin e Korçës 7 të tilla.
Në një intervistë, drejtori ekzekutiv i kësaj organizate tregon se shkaqet kryesore të mbylljes së 41 degëve në mbarë vendin janë tarifat e larta të studimit, përkeqësimi i situatës së arsimit të lartë në vend si dhe reformat e njëpasnjëshme që kanë shkaktuar kolaps. Xhemollari më tej thekson se sipas raporteve të mëparshme të ‘Qëndresës Qytetare’ në lidhje me nivelin e perceptimit dhe pranisë së korrupsionit në universitete, tek ato universitete që niveli i korrupsionit është më i lartë janë mbyllur më shumë degë studimi.