
Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla kujton se të gjitha seancat e Këshillit të Mandateve në të kaluarën janë zhvilluar me dyer të mbyllura. Balla iu përgjigj akuzave të PD dhe LSI se Ruçi nxori jashtë mediat.
“Në 26 vjet të Kuvendit, në të gjitha rastet, kjo pjesë e mbledhjes së këtij këshilli ka qenë gjithmonë e mbyllur. Dhe rastet më tipike të këtyre mbledhjeve, për t’i kujtuar edhe publikut po shtoj, mbledhja për Bashën 2007, diskutimet të mbyllura, për fatmir mediun në 2008, me dyer të mbyllura, për Ilir Metën në 2011, me dyer të mbyllura, vendimi i vitit 2012 (për Mark Frrokun dhe Tom Doshin) me dyer të mbyllura.
Këshilli mund të ketë dy apo tre qëndrime për këtë çështje, kjo i takon anëtarëve të Këshillit. Ai i paraqet raportin në seancë dhe seanca e parë që pason miratimin e raportit, ditën e mërkurë është seanca e parë. Nëse raporti do jetë gati, do kalojë në seancë. I kaloj Bashës dhe Kryemadhit lerini anëtarët e Këshillit të bëjnë punën e tyre”, tha Balla./shqiptarja/