“Kërkoj menjëherë hapjen e rrugës në 2 drejtime”, deputetja e Shkodrës paralajmëron përshkallëzim të protestës për rrugën e Rinasit

Prej disa ditësh në rrugën e Rinasit, vazhdojnë protestat e banorëve të zonës. Shkak është vendimi i ARRSH- së për ta bërë me një kalim këtë aks shumë të rëndësishëm drejt aeroportit “Nënë Tereza” të Tiranës.

Nga vendimi i ARRSH- së penalizohen jo vetëm banorët e zonës përreth këtij aksi, por të gjithë ata që vijnë nga Veriu drejt Tiranës. Reagimet këto ditë janë të shumta, siç edhe solidarizimet e deputetëve. Pas Andia Ullirit, ka folur deputetja e Shkodrës Greta Bardeli Gjoni, e cila kërkon hapjen menjëherë të rrugës me dy kalime, duke paralajmëruar përshkallëzim të protestës nëse nuk ka reagim.


Shkruan në Facebook deputetja e Shkodrës Greta Bardeli Gjoni: Qytetarët e Qarkut Shkodër, Lezhë dhe gjithë Veriut pa asnjë, diskutim penalizohen tepër nga mbyllja e qarkullimit në drejtim të rrugës drejt aeroportit “Nënë Tereza”. Vendim i nxituar pa marrë në konsideratë interesat e komuniteteve dhe veçanërisht Veriut të vendit që goditet vazhdimisht nga vendimet e qeverisë!

Si deputete e Qarkut Shkodër kërkoj menjëherë hapjen e rrugës në 2 drejtime nga kryqëzimi i Ahmetaq (kthesa për aeroport kur vjen nga Veriu) deri te rrethrrotullimi i statujës së “Nënë Terezës”. Qeveria menjëherë të heqë dorë nga kokëfortësia , përndryshe protestat e banorëve të Rinasit do të mbështeten nga Shkodra, Lezha e kudo nga Veriu ku preken interesat e qytetarëve!

Nuk është faji qytetarëve që qeveria hedh paratë për interesat e vilave të korrupsionit duke u çuar tunele te dera e vilave në bregdet dhe asnjë investim aty ku duhet!

Rruga e aeroportit sot duhet te ishte me 4 kalime, ndërsa Lezhë, Shkodër duhet te ishte investuar në nivelin e autostradave ndërkombëtare si pjesë e rëndësishme e Korridorit Europian të adriatikut!