Kapen në Malin e Zi mbi 200 mijë euro të padeklaruara në doganë, i përkisnin një shtetasi shqiptar që udhëtonte me makinë

Në pikën e kalimit kufitar Sukobin – Muriçan, më 23 gusht, gjatë kontrollit të një automjeti të pasagjerëve të drejtuar nga shtetas i Republikës së Shqipërisë, janë gjetur një sasi e madhe parash të padeklaruara.

Konkretisht, në pjesën e automjetit nën kruskotin e përparmë djathtas është gjetur një qese najloni në të cilën ka pasur një sasi të madhe të kartëmonedhave në prerje prej 50 euro.


Pas kontrollit të imtësishëm, nën sediljen e shoferit është gjetur një tjetër çantë me para. Shuma totale e parave të padeklaruara të gjetura është 202.060 euro.

Punonjësit e Drejtorisë së të Ardhurave dhe Doganave kontrollin e mjetit e kanë kryer në bashkëpunim me pjesëtarë të Drejtorisë Policore të Malit të Zi dhe punonjës të doganave dhe policisë të Republikës së Shqipërisë.

Për ngjarjen është njoftuar prokurori i shtetit të Malit të Zi. Paratë e gjetura të padeklaruara janë mbajtur përkohësisht deri në përfundimin e procedurës.

NJOFTIMI I POLICISË SHKODËR

Shërbimet e PKK Muriqan, në bashkëpunim me homologët në Mal të Zi dhe me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në dalje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin I. B.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që drejtonte ky shtetas, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën dhe sekuestruan 202 060 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar sipas përcaktimeve ligjore në fuqi. Gjithashtu, kjo shumë parash dyshohet se është përfituar nga veprimtari kriminale.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin I. B., 53 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.