![](https://www.shkodraweb.com/wp-content/uploads/2020/07/gazjon-rusi-vilma-nushi.jpg?x28643)
Zoti Kryeministër i Shqipërisë,
Nuk jam i sigurtë se do ti lexoni këto pak rreshta, por gjithsesi, si qytetar i Shkodrës, me besimin se shkruaj edhe në emër të mijëra shkodranëve e shqiptarëve, po guxoj t’ ju drejtohem publikisht.
Sigurisht nuk e njihni Gajzonin, qytetarin e mirë të Shkodrës Gazjon Rusi. Është mësues në medresenë “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër. Është prind i tre vajzave të vogla dhe natyrisht, bashkëshort e baba i përkushtuar.
Si qindra shqiptarë të tjerë, edhe ai u përball me Covid- 19. Këtë mund ta verifikoni lehtësisht, sepse Gazjoni është në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë. Jeta e tij është e rrezikuar. Nëse vazhdon të qendrojë në Shqipëri, mund të ndodhë më e keqja që as që duam ta mendojmë.
Gazjoni e ka të nevojshme të trajtohet në një spital në Stamboll të Turqisë. Por duhen shumë, shumë para. Jo vetëm Gazjoni dhe të afërmit e tij natyrisht nuk i kanë gjendje, sidomos në këto kohë vështira, por vështirë ti ketë ndonjë familje në Shqipëri.
Një solidaritet i jashtëzakonshëm nga nisur. Fillimisht nga kolegët e tij por më pas nga të gjithë, në rrjete sociale e kudo. Madje, është hapur edhe një llogari në GoFundMe për të mundësuar donacione. Shifra që kërkohet është goxha e madhe, 55 mijë dollarë amerikanë. Nga ana tjetër, është edhe problemi i kohës, sepse duhet vepruar urgjent për ta dërguar në Turqi.
Zoti Kryeministër Edi Rama,
Mesazhi im për Gazjonin, është një mesazh për çdo qytetar shqiptar në vështirësi e pamundësi për të shpëtuar jetën nga një rrezik kaq i madh siç është Covid- 19. Jam i bindur që një ndërhyrje e juaja, aq më shumë me një vend si Turqia që marrëdhëniet Tuaja me Presidentin Erdogan janë të shkëlqyera, do të sillte që Gazjoni të udhëtonte për pak orë drejt Stambollit.
Mendoj se është rasti të hidhni shikimin e vemendjen tuaj tek ky rast. Jeta e Gazjonit është shumë e shtrenjtë, e paçmuar. Ashtu siç është natyrshëm, edhe jeta e Vilma Nushit dhe çdo shqiptari tjetër që nuk mund të shërohet nga Covid- 19 në Shqipëri. Por nëse zonja (që i urojmë shërim të shpejtë) ka mundësi personale financiare për kurim, mendojmë se Gazjonit duhet t’ia jepni Ju këtë mundësi.
Më së paku, do të riktheni në gjirin e familjes të shëruar një baba e bashkëshortë të mirë, do të ndikonit që buzëqeshja të jetë përsëri e plotë tek tre bijat e Gazjonit, familjarët e të afërmit e tij.
Shpresoj që fillimisht të mund ta lexoni e më pas, të ndërhyni për Gazjonin tonë!
Nga Blerti Delija, Shkodër