Vladimir Beja, ish-komandant i Forcave Ushtarake Detare, është i bindur se sistemi i vrojtimit të hapësirave detare në Shqipëri është nga më bashkëkohorët, ndaj edhe për mosfunksionimin e radarëve, ai bën me përgjegjësi funksionarët përgjegjës.
Debati i nisur ditët e fundit në media, për mosfunksionimin e radarëve, në disa pika kyçe të hapësirës detare gjatë dy viteve të fundit, ka bërë që opozita të akuzojë maxhorancën për tolerim dhe bashkëpunim me grupet kriminale, të cilat i kanë shfrytëzuar këto rrugë për trafikun e lëndëve narkotike.
Në një intervistë për “Panorama”, ish-komandanti i Forcave Ushtarake, Vladimir Beja, shpjegon mënyrën e funksionimit të radarëve dhe përgjegjësitë që kanë titullarët e institucioneve kryesore në Ministrinë e Mbrojtjes për neglizhencën e raportimit të problematikave, të cilat lidhen me sistemin i vrojtimit të hapësirave detare.
Cili është opinioni juaj lidhur me debatin e hapur për mosfunksionimin e radarëve detarë, në pjesën më të madhe të tyre. Bëhet fjalë për raporte të dala në media për vitin 2016, kur Shqipëria u etiketua nga fqinjët tanë si një nga vendet kryesore prodhuese të drogës?
Në dijeninë time, shteti shqiptar ka të investuara në qendrat operacionale, sidomos gjatë vitit 2006-2011, aparaturat më bashkëkohore në lidhje me sistemin e vrojtimit të hapësirave detare. Ky sistem i vrojtimit, jo vetëm që është bashkëkohor, por mbulon veç territorit të brendshëm të ujërave territoriale, edhe më tej. Problematika që shtrohet sot lidhet me faktin që shteti ynë aktualisht është në një krizë. Krimi i organizuar, jo vetëm që ka depërtuar në shtet, por për mendimin tim, po ndërton edhe në një shtet paralel. Fakti që ne, për çdo lloj problematike gjatë mosarritjes së kontrollit të sistemit, ua vëmë fajin aparaturave, për mua, minimalisht, ky argumentim është naivitet. Aparaturat nuk punojnë në mënyrë automatike, por ato janë funksionale kur personi përgjegjës i regjistron dhe raporton në sistemin e caktuar të centralizuar për problematikat që ka në hapësirë. Për mua, nuk është faji i aparaturave, por është faji i personave përkatës, të cilët munden të kenë edhe influencë, qoftë nga politikë apo edhe me pjesëmarrje direkte në krimin e organizuar, për fshehjen e trafikut që sjellin moszbulimin e trafiqeve. Edhe sikur i gjithë sistemi ynë të mos funksionojë, fqinjët tanë, Greqia dhe Italia, e kanë të organizuar sistemin, në atë mënyrë që të kontrollojnë edhe hapësirat tona detare. Nëse do të shohësh në një stacion vrojtimi të bregdetit italian, do të kuptosh që shtrirja e tij përfshin edhe bregdetin tonë. Jam i bindur, se të gjitha problematikat, që duan t’ia lënë sistemit, janë për të justifikuar mangësitë e sistemit tonë, të njerëzve tanë, të administratës sonë, e cila është e ngarkuar për këtë punë.
Ju keni përvojën tuaj si komandant i Forcave Ushtarake Detare. Cila është rruga që ndiqet, nga momenti i zbulimit të mosfunksionimit të një radari dhe deri në riparimin e tij?
Unë këmbëngul që sistemet e vrojtimit të hapësirave detare, jo vetëm që janë të harmonizuara njëra me tjetrën, por qendrat operacionale raportojnë dhe janë në sinkronizim njëra me tjetrën. Mund të ketë mungesa, edhe unë kam idetë e mia si mund të perfeksionohet ky sistem në mënyrë që të jetë më i centralizuar, pasi Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Transporteve që mbulojnë kapitaneritë e porteve kanë nevojë për një harmonizim më të madh të sistemit, por këmbëngul edhe njëherë, që nuk është faji i sistemit. Nuk është faji i radarëve. Është faji i njerëzve, që drejtojnë këtë sistem, të cilët duan, me apo pa dashje, të fshehin trafikun ilegal që bëhet. Tashmë, edhe një qytetar i thjeshtë e ka kuptuar, që Shqipëria, sidomos vitin e kaluar, arriti përmasa tragjike të trafikut të narkotikëve. Po t’i referohemi raportimeve të mediave ndërkombëtare, kuptojmë që bëhet fjalë për një sasi të jashtëzakonshme që po dominon në Europë. Ky trafik nuk kontrollohet, jo për faj të sistemit, por njerëzve që janë të ngarkuar me këtë punë, qeverisë. Pse nuk kontrollohen? Për mendimin tim, një pjesë e mirë është e implikuar në krim.
Përfshirë edhe drejtuesit më të lartë të Ushtrisë dhe Policisë apo titullarët e ministrisë?
Krimi ndërton piramidën e tij. Depërtimi i krimit në Parlament dhe qeverisje, e bën këtë sistem që ne t’i kërkojmë mangësitë te radarët dhe jo te elementët përkatës, që janë përgjegjës për këtë gjë.
Cila është pika më e rëndësishme, apo me riskun më të madh, për depërtimin e lëndëve narkotike drejt vendeve fqinje?
Durrësi dhe Vlora janë dy kanalet kryesore, për arsye se ekzistojnë edhe dy porte. Ironia është se në këto dy porte, apo dy gjire, sistemi i radarëve është i dubluar. Pra, aty ku ka sistem më të madh kontrolli, trafiku është edhe më i dendur. Kjo tregon qartë që vuajmë shumë për të ndërtuar shtet. Shifrat, për të cilat flet media ndërkombëtare për trafikun e drogës, kapin miliona euro. Në një farë mënyre, është edhe një pasuri kombëtare për ata që e prodhojnë dhe për ata që e vjelin. Vendet fqinje ankohen se Shqipëria po i bombardon me trafik, por nga ana tjetër sasia e drogës, sidomos nga fqinjët tanë italianë, është kaq e madhe sa mund të mbulojë pagat e gjithë punonjësve të policisë së Italisë. Në këtë pikë, unë them që ata jo se e presin me dëshirë këtë trafik, por për ta është një pasuri e madhe. Kjo para e madhe cenon edhe sigurinë kombëtare të një vendi. Unë jam shumë i shqetësuar për këtë situatë. E keqja më e madhe është pjesëmarrja e administratës dhe shtetarëve, të cilët janë në detyra dhe paguhen nga taksat tona për të mbajtur rregull dhe disiplinë apo për të ruajtur strukturën e shtetit, që bëhen bashkëpunëtorë në krim, kjo kërkon një kohë të gjatë për t’u rikuperuar.
Kontrollin e pajisjeve të radarëve në vendin tonë e bën një kompani private. Ju thatë se keni një ide për mënyrën se si duhet bërë ky kontroll i vijës bregdetare. Cila mendoni se duhet të jetë mënyra e menaxhimit të kësaj hapësire për të minimizuar mundësitë e depërtimit të trafikut?
Sistemi i radarëve është sjellë në Shqipëri në vitin 2008 nga kompania prestigjioze “Lockheed Martin”. Është një nga kompanitë më të madhe për mallrat ushtarakë në SHBA dhe në botë. Kjo gjë ka ndodhur në kohën kur Shqipëria është bërë pjesë e NATO-s. Tani, unë flas nga eksperienca ime. Kur thashë nga 2006-2011, shteti shqiptar, veçanërisht mbrojtja, ka investuar shumë në këtë pikë. Arritën përqindjen për mbrojtjen në 1.9%, kur kushti i NATO-s është që duhet të jetë mbi 2% e buxhetit të shtetit. Sot, është një përqindje tragjike, që shkon për mbrojtjen 0.75%. Më pak se sa 1%. Në këtë pikë, gjykoj se palët e painteresuara apo pjesëmarrëse në krim, janë të interesuara që ta gjejnë fajin tek aparaturat dhe ta përdorin këtë element. Pra, për shkak se nuk kanë marrë para mjaftueshëm nga buxheti i shtetit, është edhe ky problem me aparaturat. Kur them që mafia dhe krimi bëjnë pjesë në shtet, e luajnë edhe këtë pjesë. Por unë nuk e shoh të keqen tek aparaturat, por te njerëzit që e drejtojnë këtë punë.