Agjenti i Elseid Hysaj, Mario Xhufredi, duket se ka dhënë sinjale rinovimi me Napolin. Lojtari i kombëtares sonë është aluduar kohët e fundit se do të largohet nga napoletanët dhe me shumë mundësi drejt Çelsit, ku Sarri është një hap larg zyrtarizmit.
“Tani jemi më të qetë, sepse Ançeloti beson te Hysaj dhe do të shohim nëse eksiston mundësia të rinovojmë me Napolin. Klienti im nuk shqetësohet për merkaton, pasi është në një skuadër të madhe dhe nuk e ka prioritet largimin” deklaroi Xhufredi. Megjithatë ai përsëri la një shteg për Çelsin. “Nëse Sarri shkon te Çelsi, londinezët janë gati ta paguajnë klauzolën sepse nuk kanë mbrojtës të djathtë”, përfundoi ai. Ky mund të jetë edhe një “presion” për Napolin për rinovim me kushte më të mira.