Qendronte me orë të tëra para kompjuterit apo celularit duke folur apo shkruar përgjigje. Herë me video e herë me tekst, Edi Ramën e kishim “racion” minimalisht një herë në ditë në rrjete sociale, ndërsa në edicione lajmesh, sa herë ato transmetoheshin.
Prej disa javësh tashmë, ai nuk shihet më në “krye të detyrës” si kryeministër në një situatë pandemie, e cila fatkeqësisht po precipiton me shpejtësi. Çdo ditë, të paktën këto dhjetë të fundit, raportohen zyrtarisht dy deri në tre jetë të humbura nga Covid-19. Numri i personave të infektuar ka arritur edhe mbi kufijtë 100, ndërsa po rritet edhe numri i personave në spitale.
Ndryshe nga shumë vende të tjera, të cilat pas ri-hapjes po shohin rënie të dukshme të shifrave të pandemisë, në Shqipëri po ndodh e kundërta. Pavarësisht se, kur ishim vendi i parë në botë për menaxhimin e pandemisë gjatë ngujimit i merrte të gjitha meritat për vete, askush nuk mund të thotë se Edi Rama në vetë të parë, është përgjegjës për situatën aktuale. Të paktën, nuk është drejtpërdrejtë. Komisioni i famshëm i ekspertëve, vazhdon të jetë i njëjti dhe përgjegjësia në “strategjinë” e përballimit të pandemisë, vazhdon të jetë e tyre.
Por nga ana tjetër, Edi Rama vazhdon të jetë kryeministër ashtu siç ishte edhe gjatë periudhës së ngujimit apo izolimit. Ashtu siç dilte shpesh, me ose pa arsye, për të treguar zgjedhjet e duhura që po bënte edhe pse me kosto të madhe për ekonominë e lodhur të këtij vendi, Edi Rama ka detyrimin të flasë përsëri me qytetarët.
Edhe pse nuk mund të ketë kënaqësinë që kumtet e tij në rrjete sociale, të kthehen në VKM apo Urdhra të ministrive të ndryshme. Ndoshta nuk mund të dalë aq shpesh sepse situata nuk e bën të ndjehet aq i “suksesshëm”, por të paktën 1 apo dy herë në javë duhet të dalë. Për te treguar se pse situata ka precipituar, është gabuar gjatë ngujimit apo pas ri-hapjes.
Specialistët e tij të PR-it me siguri e kanë këshilluar të mos jetë aq shumë i pranishëm në rrjete sociale e media për çeshtje pandemie. Situata është në disfavor dhe nuk mund të marrë bonuse. Të paktën bonuse që mendohet se ai i ka inkasuar gjatë menaxhimit të “suksesshëm” të periudhës së ngujimit.
Izolimi i imponuar nga pandemia, solli shumë probleme ekonomike pse jo, edhe psikologjike. Ndau familje por gjithsesi, ishte i domosdoshëm që sistemi shëndetësor të mos shkonte në “tilt” dhe për të fituar kohë në forcimin e kapaciteteve. Ri-hapja, tashmë po na izolon jo vetëm nga vendet e BE-së, por edhe të tjera, në Ballkan e më gjërë, si Britania e Madhe ditën e sotme.
Mungesa e guximit të kryeministrit për tu ekspozuar edhe në një situatë të tillë aspak të mirë, e nxjerr zbuluar në daljet e tepruara gjatë muajve të izolimit. E paska bërë thjeshtë dhe vetëm për tu dukur, për tu shfaqur si shpëtimtar i situatës, i jetës e shëndetit të shqiptarëve.
Pavarësisht kostove, Edi Rama duhet të qendrojë në lartësinë e përgjegjësive të postit. Madje e ka detyrim. Nëse më parë fliste e shfaqej më shumë se edhe ekspertët, të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe tani.
Përndryshe, jemi thjeshtë në një sjellje demagogjike, propagandë edhe me një fatkeqësi siç është Covid-19. E kjo nuk i bën nder një qytetari të zakonshëm jo më një “timonieri” që mburret se shqiptarët ia besuan drejtimin e “autobusit” i vetëm! /Shënim i ShkodraWeb Media/