I nderuar Gledis!
Sot zyrtarisht, ke nisur rrugëtimin final në radhët e Policisë së Shtetit. Nëse ky ligj “Për Policinë e Shtetit” nuk do të ndryshojë (dhe nuk është aspak çudi të ndodhë), në përmbyllje të këtij misioni, ti nuk do të mund të jesh më pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit. Për një profesionist rreth 40 vjeç, me gati 19 vite në radhët e uniformave blu, nuk është e lehtë të largohet nga ndjekja e një ëndrre. Sidomos në moshën 50 vjeçare, në rastin më të mirë. Nëse ia del ta mbyllësh këtë mandat 5 vjeçar, mund të kesh maksimumi edhe një tjetër. Pastaj në jetën e lirë ose si këshilltar a pedagog në shtet, mbase edhe në privat.
Ndoshta askush nuk ti ka kujtuar këto, edhe pse jam i bindur që në momentin e pranimit të detyrës, ti e ke ditur “fundin”. Natyrshëm të kanë uruar, të kanë mbështetur e inkurajuar në këtë detyrë aspak të lehtë. Besoj, si pjesë e zinxhirit të ëndrrës që ndjek prej vitesh, nuk mund ta kapërceje këtë “hallkë” të rëndësishme e prestixhioze në karrierën e çdo punonjësi policie.
Para teje, unë si të gjithë shqiptarët, kemi qenë dëshmitarë të emërimit të një drejtori të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Asnjëherë nuk i jam drejtuar askujt publikisht siç po e bëj me ty (je më i ri ne unë në moshë dhe po të drejtohem me “ti”). Në mendjen time të paktën, ke disa përparësi për të ndryshuar njëherë e mirë Policinë e Shtetit, duke e futur në rrugën e simotrave në Europë.
Më rezulton se je i pari që nuk je produkt direkt ose indirekt, të paktën i lidhur, me periudhën e Policisë Popullore të komunizmit. Nisur nga mosha të paktën e kjo nuk është pak. Është një start i mirë, duke nisur me gjetjen e mekanizmave të duhur që punonjësit e formuar para 1990- ës, të nisin të hapin krahun. Ose të paktën, të vendosen prapa tavolinës së ndonjë zyre. Besoj se arsyen e kësaj kerkese, më mirë se unë, e kupton ti vetë.
Këto vitet e fundit, Policia e Shtetit gati u kthye në një forcë paraushtarake. Sidomos në kohën e drejtimit politiko teknik nga dyshja Sandër Lleshi- Ardi Veliu. Nga shumë, Policia e Shtetit u pa dhe vazhdon të shihet si armike e qytetarëve. Jo vetëm atyre që u rreshtuan në krahun e kauzave opozitare dhe që u përballën me gaz dhe dhunë jo proporcionale. Sigurisht, duhet gjetur një strategji për ta rikthyer në një pjesë normale të administratës shtetërore, ashtu siç është edhe me ligj.
Permenda pak më sipër Policinë Popullore të komunizmit. Sepse në radhët e Policisë së Shtetit, vazhdon të ketë “komisarë politikë”, në të gjitha nivelet. I sherbejnë politikisht shefit të radhës, pa patur bindje të konsoliduara politike por për të ruajtur privilegje deri në lidhje me krimin, direkt apo indirekt. Ata duhen flakur. Në mos në mes të katër rrugeve, të vendosen pas ndonjë tavoline, pa kompetenca të mëdha në Policinë e Shtetit.
Gjatë 30 viteve, nga radhët e Policisë së Shtetit janë larguar mjaft profesionistë. Një pjesë edhe të formuar si ti, pas 1990- ës. Duhet gjetur modalitetit, edhe duke përkulur (jo thyer ligjin) që ata të përfshihen sërish në radhët e uniformave blu. Do të ishin një ndihmë e madhe për ty e objektivat që mund ti kesh vënë vetes por edhe perceptim pozitiv i policisë nga qytetarët.
Këto 30 vite, shumë nga kolegët e ish- kolegët e tu, janë bërë milionera. Ata vetë, familjarë apo të afërm. Ti e di më mirë se unë me çfarë rrugësh por ke detyrimin ti flakësh nga policia ose të shuash këtë fenomen në radhët e Policisë së Shtetit. Miliona euro të kanabizimit të vendit, tashmë janë depozituar në banka apo ngurtësuar në prona të kolegëve, ish- kolegëve apo të afërmve të tyre.
I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,
Prej vitesh ti je person i aksionit, terrenit, në një sektor shumë të vështirë si anti- terrori. Ti e njeh nga afër vështirësinë e profesionit të policit, me apo pa uniformë. Duhet ti ktheh me patjetër dinjitetin dhe madje, e ke detyrim primar. Që nga uniforma, logjistika e deri tek pagat. Policët janë “shteti” në rrugë, përballë çdo qytetari.
Ti ke mbështetje besoj. Falë saj, edhe të “Rrugës së Elbasanit”, je tashmë në atë pozicion që ke nga mëngjesi i sotëm. Besoj se duhet të kesh disa prioritete, disa parime. E di që është e vështirë ta pranosh por unë do ta kërkojë: Tërhiqu nëse nuk ke hapësirë, mundësi e kompetenca, pushtet për të ndryshuar (jo reformuar se na ka lodhur kjo fjalë) Policinë e Shtetit. I penguar nga politika dhe zgjatimet e saj. Të ikësh nga Policia e Shtetit, nga një post shumë i lartë pa mbyllur të paktën një mandat, nuk është e lehtë, sidomos me moshën që ke. Por mendoj se më mirë një terheqje me nder, në mbrojtje të disa parimeve që beoj ke respektuar prej 19 vitesh se të “dorëhiqesh” me një deklaratë si ajo e parardhësit tënd. Nëse nuk mund të lësh gjurmë për mirë, ti e ke në dorë të mos lësh për keq.
E në fund, kam një dyshim lidhur me pozicionin e ri, atë pas një skrivanie, me sekretare, shofer apo truproja. Personalisht, nuk të shoh shumë komod në këtë pjesë, uroj të jem i gabuar. Por ke të gjitha mundësitë që kjo pjesë, edhe nëse nuk do të jetë 100%, të mos vihet re fare për sa kohë të jesh në krye të Policisë së Shtetit!
E them publikisht, personalisht kam pritshmëri të larta për ty! Dua të besoj sot se do të jesh fjalëpak e punë shumë, siç më thonë disa miq gazetarë që të njohin nga afër! Tu priftë e mbara! /Nga Blerti DELIJA/