Gjykata e Lartë ka vendosur mospranimin e rekursit për ish-anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, duke lënë në fuqi dënimin e tij.
Daci është shpallur fajtor me vendimin e formës së prerë nga Apeli i Posaçëm për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.
News 24 raporton se ditën e sotme vendimi është marrë në dhomë këshillimi. Pas këtij vendimi nga Gjykata e Lartë, KPA duhet të nisë procedurat për largimin e tij si anëtar i këtij institucioni.
Daci akuzohet per falsifikim dokumentesh gjatë aplikimit të tij për pozicionin e anëtarit të KPA-së. Ai nuk ka treguar shkarkimin e tij nga detyra në vitin ’97.
“Në aplikimin e kryer prej tij në datën 3 shkurt 2017 për t’u emëruar në funksionin e mësipërm, ai ka paraqitur rrethana të rreme, duke mos deklaruar faktin se ndaj tij është marrë masa disiplinore ‘largim nga puna’ në vitin 1997”, deklaroi SPAK në nisje të hetimeve për Dacin.