Gafat në librin e Gjeografisë së klasës së 9- të, ish- rektori i Shkodrës zbulon pasaktësitë e botimit…

Teksti i Gjeografisë që mësojnë sot nxënësit e klasës së nëntë është plot me gabime, mangësi e pasaktësi shkencore. Këtë e denoncon profesori i Gjeografisë, Gjovalin Gruda. Në një analizë të detajuar kritike të tekstit, gabimet nisin që në hyrje: me ndarjen e kapitujve, duke i dhënë shumë pak peshë rajoneve shqiptare në dallim me ato më gjerë si dhe raporte të padrejta ndërmjet Rajoneve, në përmbajtjen e secilit prej tyre e deri te pasaktësitë e shumta në emërtime, sipas këndvështrimit të profesorit.

Gruda fakton gabime të rëndomta në përbërje të tekstit, të cilat kanë pasoja fatale për brezin e ri, që do të duhet t’i mësojë gjërat ashtu siç i serviren. Për të mos folur pastaj për njohuritë e dhëna në formë të cunguar, fjalitë pa kuptim dhe varfërinë gjuhësore (vetëm në katër mësime, termi rajon përsëritet 71 herë).

Për të gjitha këto, profesor Gruda kërkon që Ministria e Arsimit të heqë këtë tekst nga qarkullimi dhe të ribëjë një të ri.

Me kënaqësinë e kolegut lexova librin “Gjeografia 9” të autorëve Perikli Qiriazi e Dhimitër Doka, i cili i shërben mësuesve dhe nxënësve në procesin e edukimit të tyre mbi njohuritë natyrore dhe ato social-ekonomike të Shqipërisë dhe trevave shqiptare jashtë vendit në kuadrin ballkanik dhe atë europian. Nga njohja me përmbajtjen e këtij libri të befasojnë mangësitë e pasaktësitë shkencore të shumta, veçanërisht në trajtimin e elementëve fiziko-gjeografik.

Drejtimi fiziko-gjeografik si një nga më të rëndësishmit e Gjeografisë, formon te nxënësit njohuritë bazë të pasurive natyrore dhe rëndësinë e tyre në zhvillimin social-ekonomik të vendit sot dhe në perspektivë. Konfuzioni i këtij libri fillon menjëherë te përmbajtja e tij (Pasqyra e Lëndës), e cila është renditur në numra (në kapitullin e parë) dhe më pas vijon me shkronja.

Natyrisht, gjatë një teksti mësimor renditja e përmbajtjes duhet të jetë e njësuar pra me vlera numerike, ose me germa për të mënjanuar konfuzionin te nxënësit. Vazhdon me titujt e dyzuar si: klima dhe pasuritë klimatike, zonat klimatike dhe pasuritë klimatike, larmia dhe pasuria e madhe hidrografike, larmi dhe pasuri hidrografike, larmi e madhe e florës dhe faunës, pasuritë floristike dhe faunistike. Gjithashtu nga kapitulli I, me përjashtim të pozitës gjeografike dhe hartës politike të trevave shqiptare, të gjitha të tjerat e kanë vendin në fund të kapitullit të III.

Në gabimet e këtij libri spikat menjëherë raporti i papranueshëm midis kap.II, në të cilin trajtohet “Vështrimi i Përgjithshëm Gjeografik” dhe kap.III, ku analizohen rajonet e Shqipërisë dhe trevat jashtë vendit. Vëllimi i secilit prej tyre zë përkatësisht rreth 65% dhe 35% të vëllimit të përgjithshëm të këtyre kapitujve, ndërsa duhet të ishte e kundërta. Literatura gjeografike e sotme, këtë raport në përgjithësi e jep së paku 1:2 për llogari të Gjeografisë Rajonale. Raporte të tilla të papranueshme janë të pranishme gjithashtu brenda të njëjtit kapitull gjatë trajtimit të përbërësve natyrorë, duke filluar nga ndërtimi gjeologjik deri te flora dhe fauna. Raporte të padrejta në këtë kapitull karakterizojnë njëkohësisht pjesën humane midis vendbanimeve dhe popullimit (duhet popullsia dhe vendbanimet-shënimi ynë) me 13 faqe dhe ekonomisë me 8 faqe.

Në kapitullin e III analizohen Rajonet e Shqipërisë dhe të trojeve jashtë vendit, takohen gjithashtu raporte të padrejta jo vetëm ndërmjet Rajoneve, por edhe në përmbajtjen e secilit prej tyre. Kështu Rajoni Perëndimor trajtohet me të njëjtin vëllim (me 8 faqe) si ai i Rajonit Verior e VL, pavarësisht se është më i madhi i vendit tonë. Në vazhdimësinë e këtyre gabimeve spikat menjëherë emërtimi i pjesës më të madhe të titujve të mësimeve, sidomos për elementët natyrorë, të cilët nuk kanë lidhje me përmbajtjen ose ngjasojnë me ato të botimeve publicistike, duke mënjanuar tërësisht ato gjeografike të mirëfillta. Midis këtyre titujve të çuditshëm spikat “Natyrë e larmishme-muze i madh në natyrë” (pra, natyra si muze i vetvetes-shënimi ynë). Larmi dhe rezerva shumë të mëdha të pasurive nëntokësore (duhej pasuritë minerale – shënimi ynë), pozicioni gjeologjik, evolucioni dhe ndërtimi gjeologjik (duhej të ishte ndërtimi gjeologjik – shënimi ynë) etj.

Në përgjithësi, teksti është i mbushur me abuzimet e termit larmi, peizazh, rajon, mjedis etj., tepër të përgjithshme dhe të vështira për konceptimin e tyre nga nxënësit, ku vetëm emërtimi rajon te “Rajoni Perëndimor” me katër mësime përmendet 71 herë, pra, mesatarisht 18 herë për çdo mësim. Mendojmë se përsëritje të tilla janë tregues i një varfërie të theksuar mendimi e të përgjegjësisë profesionale, duke krijuar konfuzion te mësuesit dhe nxënësit. Midis gabimeve shkencore më befasuese të këtij teksti veçohen ato te ndërtimi gjeologjik me moshën e truallit të trojeve shqiptare, për të cilën autorët shprehen se: Trualli i Shqipërisë bën pjesë në territoret më të reja të Europës, kurse në vazhdim del nga më të vjetrat.

Kështu, “Gjendja e sotme e natyrës (duhet e truallit-shënimi ynë) shqiptare është rezultat i proceseve gjeologjike të zhvilluara gjatë evolucionit (sinonim i zhvillimit-shënimi ynë) gjeologjik të gjatë (rreth 600 milionë vjet)”. Nga të dhënat shkencore të sotme të gjeologjisë del se 250 milionë vjet më parë është formuar megakontinenti (një kontinent i vetëm) me emrin Pangea. Gjatë periudhës së copëtimit të Pangeas deri në Miocen, pra, rreth 10 milionë vjet më parë u krijuan kontinentet dhe oqeanet e ngjashme me ato të sotmet. Kështu, gabimi i autorëve të tekstit është rreth 60 herë, i cili po të krahasohet me jetën e njeriut për të krijuar një ide të këtij gabimi, do të thotë se një fëmijë 1-vjeçar të konsiderohet si një 60-vjeçar.

Në këtë kapitull, mangësitë dhe paktësitë shkencore gjatë trajtimit të relievit nisin me konceptimin e pasaktë të faktorëve të formimit të tij. Autorët veçojnë gabimisht lëvizjet e formimit të maleve nga lëvizjet diferencuese tektonike. Shkenca e gjeologjisë provon se lëvizja është unike, por ajo ndryshon drejtimin dhe intensitetin (shpejtësinë) në periudha dhe zona të ndryshme të deformimit të litosferës, duke marrë gjithashtu një karakter diferencues. Relievi këtu është dhënë si një inventar tejet i varfër me emra formash si: male, kodra, fusha, lugina, pllaja, malësi, gropa, fushëgropa (emërtim i gabuar ku përfshin dy forma krejt të ndryshme-shënimi ynë), kurse emra konkretë të këtyre formave janë tepër të rrallë.

Trajtimi i klimës është bërë gjithashtu me mangësi dhe pasaktësi të shumta, të cilat shprehen te renditja e gabuar, ku faktorët e formimit të klimës duhen trajtuar para tipareve të përgjithshme të saj. Këtu gjenden fjali pa kuptim dhe njëherazi të gabuara si: dëbora e shumtë në male e në lindje (?!) ose në brendësi dhe në lindje shfaqen dukuri kontinentale të klimës. Vlen për t’u theksuar se dukuria konti nentale e klimës është një mendim i sajuar i autorëve, pasi në studimet e kryera nga specialistët klimatologë, të cilat janë botuar në veprat “Klima e Shqipërisë” dhe “Atlasi Klimatik i Shqipërisë” nuk ekziston një dukuri klimatike e tillë. Në vazhdim, i njëjti trajtim skematik, me mangësi e pasaktësi të shumta shoqëron njëkohësisht pasuritë ujore (hidrografinë), ku faktorët e formimit të këtyre pasurive jepen me një fjali (?).

Trajtimi i brigjeve detare të Adriatikut dhe Jonit trajtohet si reliev dhe jo si hidrografi, ku kjo e fundit mungon pothuajse tërësisht. Autorët ngatërrojnë këto dy elementë natyrorë krejtësisht të ndryshëm midis tyre. Këto dete janë të ndryshëm, prandaj edhe rëndësia gjeografike dhe ekonomike e tyre duhet të jepet veçmas dhe jo me tre rreshta (?).

Në trajtimin skematik veçohen liqenet, ku nga tre liqenet kryesore jepet pothuajse vetëm sipërfaqja dhe thellësia, pra, asgjë për regjimin ujor të tyre, nga varen edhe vlerat ekonomike, ekologjike e turistike të tyre. Në tekst thuhet se 3 liqenet e mëdha të vendit tonë kanë origjinë tektonike, ndërkohë, ato kanë origjinë tektonikokarstike. Një dukuri e tillë vlen edhe për liqenet karstike, të cilët nuk formohen vetëm nga tretja e gipseve, por edhe e gëlqerorëve të ndihmuar nga shkëputjet tektonike.

Të habit fakti i përdorimit të termit “graben” për herë të parë dhe të fundit te liqenet, ndërkohë që nuk përmendet te ndërtimi gjeologjik ku e ka vendin dhe aq më pak te fushat e gropat ndërmalore të vendit tonë të modeluar në këtë strukturë. Vlerë të gabuar ka gjithashtu sipërfaqja tërësore e liqeneve artificiale me 40 km², ndërkohë që vetëm ajo e Fierzës është 72.6 km², si dhe ajo e lagunës së Nartës me 42 km², kundrejt 45 km².

Faksimile e tekstit ku flitet mbi vjetërsinë e truallit të trojeve shqiptare
Faksimile e tekstit ku flitet mbi vjetërsinë e truallit të trojeve shqiptare
Trajtimi i rrjetit lumor, krahas një paraqitjeje skematike të rëndomtë shoqërohet njëherazi me gabime e mangësi mbresëlënëse. Kështu, burimi i Drinit të Bardhë nga malet e Zhlebit (Kosovë) është një absurd, sepse nuk ekzistojnë male të tillë, por vetëm një majë në VL të bllokut malor të Rusulisë. Ndërkohë që fillimi i këtij lumi shtrihet në rrëzën e shpatit JL të këtij blloku malor, ku dalin burimet e Radavcit. Në vazhdim të këtij paradoksi është njëkohësisht lugu i Rrafshit të Dukagjinit ku kalon lumi i Drinit të Bardhë, i cili ka një sipërfaqe rreth 3000 km².

Natyrshëm lind pyetja: si ka mundësi të quhet lug (nocion zvogëlimi i luginës – shënimi ynë) një formë e tillë në këto përmasa, i cili është 2.3 herë më i madh se Fusha e Kosovës (1300 km²), e cila quhet fushëgropë (prapë nocion i gabuar – shënimi ynë). Një nga gabimet më flagrante në tekst është vendi ku bashkohet lumi i Osumit me atë të Devollit, në dalje të Beratit (?!), i cili në realitet bëhet te fshati Arrëz, rreth 14 km në VP të këtij qyteti. Gabime të tilla të rëndomta dëshmojnë se përgjegjësia profesionale e këtyre autorëve lë për të dëshiruar. Njohuri në formë të cunguar jepen gjithashtu te tokat, flora dhe fauna. Natyrisht një nga gabimet flagrante në këtë organizim gjatë Mesjetës së hershme (shek.XII-XIII), pra, në periudhën e principatave të Arbrit, Topiajve, Muzakajve etj., është se përfshihen edhe Bushatllinjtë (?!), të cilët i përkasin Pashallëkut të Shkodrës në shek.XVIII (1769- 1771).

Treguesit e dinamikës së shpërndarjes së popullsisë në tekst nuk janë të përditësuara, pasi ato jepen mbi bazën e të dhënave të vitit 2011. Midis këtyre treguesve veçohen të dhënat statistikore për numrin e shqiptarëve në botë të larguar gjatë emigracionit pas vitit 1990 deri sot, të cilat janë të pasakta. Një mendim tejet të çuditshëm autorët e japin tek emigrimet e popullsisë, ku në hyrje thuhet: Edhe ti (pra, nxënësi – shënimi ynë) mund të jesh rishtazi njëri prej tyre në qytetin/fshatin tënd aktual, duke i dhënë idenë e emigrimit gjeneratave të reja (?!) (faqe. 72).

Transmetimi i këtij mesazhi nëpërmjet këtij teksti krijon indinjatë te çdo shqiptar, i cili e sheh të ardhmen në atdheun e vet. Gabimet vazhdojnë natyrshëm te raporti i popullsisë qytetare me atë fshatare, i cili në tekst jepet përkatësisht 53.7% dhe 46.3%, kurse De Agostini e jep 58% dhe 42%. Vlera të pasakta jepen gjithashtu në treguesit statistikorë të zhvillimit ekonomik, të cilët nuk janë përditësuar me të dhënat e viteve të fundit. Paradoks tjetër i tekstit i përket kap.III, ku trajtohen katër rajonet gjeografike të Shqipërisë, të cilin autorët e kanë kristalizuar prej vitesh te “Gjeografia 12”, bot.2011 dhe “Gjeografia 11”, bot.2017.

Megjithatë, kriteret shkencore për ndarjen e këtyre rajoneve nuk janë dhënë asnjëherë nga këto autorë. Në këto kushte, autorët e kanë parë më të arsyeshme të shtrembërojnë rajonizimin fizikogjeografik të mirënjohur dhe në përgjithësi të argumentuar shkencërisht. Kështu, katër rajonet e dhëna prej tyre, të tillë si: Rajoni Perëndimor, ai Verior e VL, ai JL dhe Jugor janë përkatësisht Ultësira Perëndimore, krahina malore Veriore me pjesën veriore të krahinës Qendrore, pjesa jugore e kësaj të fundit dhe krahina malore Jugore. Kështu, Rajonet gjeografike të Shqipërisë në këtë tekst janë një përzierje e gabuar e dy krahinave fiziko-gjeografike, duke spekuluar me emërtime të ndryshme.

Gabimi thellohet akoma më shumë kur fillohet menjëherë me Rajonin Perëndimor, duke shmangur tërësisht paraqitjen e katër rajoneve, kur dihet se ato jepen për herë të parë në këtë tekst. Autorët janë mjaftuar me paraqitjen e këtyre rajoneve në një hartë skematike me ngjyra, së cilës nuk i bëhet asnjë analizë apo shpjegim. Nuk mjafton kjo mangësi, por paradoksi më i madh është kur autorët i drejtohen nxënësit me pyetjen se “pse Shqipëria ndahet në katër rajone?”. Kështu, autorët kërkojnë nga nxënësit njohuri, të cilat vetë ato nuk i kanë dhënë gjëkundi. Në këtë vëllim përfshihen gjithashtu kufijtë natyrorë ndërmjet rajoneve, të cilët dallohen njëherazi për mangësi e pasaktësi të theksuara.

Kulmi i këtij skematizmi arrin te Rajoni Perëndimor, në të cilin nënnjësitë përbërëse jepen vetëm me emra dhe nuk trajtohen fare, pavarësisht se jepen me titull kryesor. Natyrisht, tejet i çuditshëm për mënyrën e konceptimit, të trajtimit, mangësive e pasaktësive paraqitet Rajoni Verior e Verilindor, veçanërisht nënrajoni i Alpeve me 2200 km², kurse lartësia mesatare është 1140 m dhe jo 1500 m siç jepet në tekst (?!). Alpet (thuhet në tekst) përbëjnë grumbullin (term vulgar, aspak gjeografik) malor më të lartë, më të ashpër dhe më të copëtuar të vendit, kurse ndarja e tyre në Alpet Perëndimore dhe ato Lindore është mënjanuar tërësisht.

Përmendet blloku i Jezercës me një rresht: ka reliev më të thepisur e më të lartë dhe nuk përmendet fare pjesa tjetër e blloqeve malore të Alpeve (Blloku i Grykave të Hapta, Maja e Hekurave, Blloku i Kollatës, Bjeshkët e Nemuna etj.). Përbërësit e tjerë si: klima, hidrografia, tokat e bimësia pothuajse pa asnjë të dhënë. Klima këtu nuk është malore (alpine) si e paraqesin, por mesdhetare malore veriore, kurse tokat i jep sipas pjellorisë, pra, pjellore në lugina e të varfra në shpatet e maleve, duke mënjanuar zonalitetin vertikal të tyre. Në këtë tekst nuk lexon pothuajse asgjë nga madhështia marramendëse e Alpeve të Shqipërisë kaq të mirënjohura brenda dhe jashtë vendit, pra. si një ndër viset më të bukura në Europë (Prof. Rexhep Qosja). Në tërësi, i njëjti trajtim është bërë edhe për nënrajonin Verilindor, por me mangësi e pasaktësi shkencore në konceptimin, terminologjinë e përdorur dhe renditje.

Përmbajtja e këtij teksti është pothuajse e njëjtë në strukturë, konceptim dhe trajtim me “Gjeografia 11” (botim IDEART, 2017) e këtyre autorëve, i cili paraqitet si një shkurtim mekanik i tij, pra, nga 191 faqe në 144 faqe, duke ruajtur në tërësi të njëjtat mangësi dhe pasaktësi shkencore. Nxënësit dhe mësuesit gjejnë në këtë tekst një kalvar të vërtetë, edhe për faktin se ai paraqitet gjithashtu me probleme gjuhësore, kurse redaktimi shkencor mungon pothuajse tërësisht. Theksojmë se paraqitja e të gjitha mangësive dhe pasaktësive shkencore të këtij teksti është e pamundur të jepen vetëm me një shkrim kritik. Në këto kushte, mendojmë se Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk duhet të lejojë qarkullimin e këtij teksti kaq problematik dhe çorientues në procesin e edukimit të dhjetëra mijëra nxënësve në shkencën e Gjeografisë. Në kuadrin e përgjegjësive profesionale dhe qytetare jam i hapur për ballafaqim me autorët për të gjitha mendimet e paraqitura në këtë shkrim kritik.