Pronari shkodran i truallit pranë zonës së “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, ka folur për mediat lidhur me sherrin që nisi mëngjesin e sotëm, teksa IMKT shkoi të zbatonte vendimin e gjykatës për lirimin e pronës së tij. Përmes linjës telefonike, ai është identifikuar me emrin Aleksandër Gavoçi, trashëgimtar i pronarëve të truallit. Ai ka nënvizuar se gjykatat shqiptare i kanë dhënë të drejtën e pronës, duke ia njohur atë. Jo vetëm kaq, por ai nënvizon edhe kalvarin që familja e tij, gjatë komunizmit, ka kaluar pikërisht për shkak të kësaj prone. “Daja por edhe nëna ime kanë bërë burg për kërë pronëm, tani është e drejta jonë ta përdorim. Nuk ka asnjë legalizim për truallin”, shprehet Gavoçi.
Aksioni i Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) për të shembur një banesë në zonën e Shkollës “Petro Nini Luarasi” në Tiranë ka shkaktuar një kaos të vërtetë. Disa banorë kanë kundërshtuar këtë aksion, madje disa prej tyre janë shtrirë në rrugën kryesore, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve.
“Po na pushkatoni” është dëgjuar të thotë një zonjë e kësaj familje, të cilat janë shfaqur në gjendje të rënduar.
Prej rreth një ore banorët po vazhdojnë të bëjnë rezistencë, ndërkohë që disa prej tyre refuzojnë të dalin nga banesa. Disa nga familjarët janë ende brenda shtëpisë dhe kanë ndezur një zjarr në oborrin e banesës. Në vendngjarje kanë shkuar edhe forcat zjarrfikëse. Ndërkohë që disa nga pjesëtare e kësaj familje janë shoqëruar nga Policia në komisariat. Siç shikohet nga fotot e LSA, janë angazhuar disa efektiv për të larguar disa prej familjarëve dhe fëmijët e vegjël.
Ndërkohë që një banor tjetër, ka treguar në media dokumentat që disponon se banesa është ndërtuar në tokën e shtetit dhe jo në truallin e një personi privat.
Mësohet se ky truall me vendim gjykate i është rikthyer ish-pronarëve dhe për rrjedhojë IKMK do zbatojë vendimin për shembjen e kësaj banese. Banesa që do të shembet ndodhet pranë Shkollës “Petro Nini Luarasi” në Tiranë. Në vendin e ngjarjes ka forca të shumta policie si dhe ambulancat.