VIDEO – Trajneri i atletikës Vildan Tufi ish- futbollisti Ferid Rragami nderohen “Mjeshtër i madh” nga Presidenti i Republikës…

Pa më të voglin dyshim është një nga trajnerët më të mirë në historinë e atletikës shqiptare. Nga “duart” e tij, falë punës, mundit, këmbënguljes e profesionalizimit që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës, kanë dalë kampionë kombëtarë, ballkanikë, europianë etj. Ky është Vildan Tufi, një emër i mirënjohur brenda e jashtë vendit.

Dita e sotme ka qenë mjaft e veçantë për të. Presidenti i Republikës Ilir Meta e ka nderuar me titullin e lartë “Mjeshtër i madh”, në një ceremoni të zhvilluar në Presidencë. Lajmin e ka bërë me dije përmes një postimi në Facebook Izmir Smajlaj, kampon i Europës dhe një nga “produktet” e punës së Profesor Tufit.


Në të njëjtën ceremoni, është nderuar edhe ish- futbollisti i Vllaznisë dhe Kombëtares Ferid Rragami. Ceremonia është zhvilluar në presidencë dhe dy personalitetet e kanë marrë dekoratën direkt nga Presidenti i Republikës Ilir Meta. Të pranishmë familjarë, miq e të njohur të të dekoruarve por edhe figura të njohura të sportit e të jetës publike në vend. /ShkodraWeb Media/

“Diten e sotme, trajnerit Z. Vildan Tufi, ju dha titulli mese i merituar “ Mjeshter i madh “ nga Presidenti i Republikes se Shqiperise z. Ilir Meta, per mesimdhenien, mbeshtetjen dhe vullnetin e jashtezakonshem qe i ka falur atletikes shqiptare. Jam i nderuar te jem nxenes i tij prej vitesh 🇦🇱”, shkruan kampioni i Europës, shkodrani Izmir Smaljaj.

ShkodraWeb Media e uron Profesor Vildan Tufin dhe Ferid Rragamin për këto tituj të lartë, plotësisht të merituar e madje, pak me vonesë. Por më mirë vonë se kurrë, aq më shumë para një muaji e gjysmë që Profesori i Atletikës shqiptare festoi 75- vjetorin e lindjes. /ShkodraWeb Media/

Copyright © ShkodraWeb Media

ShkodraWeb Media

ShkodraWeb Media