FOTOLAJM – Mimoza Hafizi publikon foton e rradhë të para 30 viteve, NASA e publikoi sot për Shën Valentin…

Ekzakt 30 vjet më parë, NASA shkrepi një foto e cila edhe sot është unikale në llojin e saj. Është një fotografi e shkrepur ditën e Shën valentinit, 14 shkurt 1990 por që publikohet vetëm tani nga NASA. Fotografia është unikale, nisur nga distanca që është shkrepur dhe që tregon…Tokën tonë, planetin ku ne jetojmë prej miliona vitesh. Ka qenë Mimoza Hafizi, ajo që ka zgjedhur këtë “dhuratë” të veçantë për Shën Valentin, duke publikuar foton me komentet e rastit. Astrofizikania nuk harron edhe të urojë 14 shkurtin. Më poshtë, postimi i ish- deputetet së Shkodrës Mimoza Hafizi:


NASA, Agjencia Hapësinore Amerikane, ka zgjedhur Shën Valentinin për të nxjerrë këtë foto.

Pika e Kaltër, që shihet aq zbehtë, është Toka jonë, fotografuar më 14 Shkurt 1990, plot 30 vjet më parë, nga sonda hapësinore Voyager. Imazhi i saj, i marrë prej një distance 6 miliardë kilometrash, është më i largëti që ne kemi për planetin tonë.

Kjo pikëz xixëlluese mes zbrazëtisë marramendëse, është vendi ku ne kemi ngritur jetët dhe historitë tona, është trualli ku ka ndodhur gjithshka ne dimë për pararendësit tanë, është toka ku presim ta ndërtojnë të ardhmen ata që na pasojnë. Është kjo shkëndijë e brishtë që bashkë me luftërat, dhunën dhe egërsinë ka ushqyer butësinë, dhëmshurinë, burrërinë, përulësinë, respektin, ndjeshmërinë. Edhe dashurinë e pamatë, që japim e marrim përditë!

Gëzuar 14 Shkurtin, në planetin tonë aq të brishtë e të bukur, sa dhe dashuritë që ai mbart! /ShkodraWeb Media/