FOTO/ Sandër Ruçi me “Turbo Show” na tregoi Shkodrën e djeshme, të sotme por edhe të neserme…

Dy netë me rradhë ka qenë kryefjalë e jetës arstitike të Shkodrës. “Turbo Show” e Sandër Ruçit në Teatrin “Migjeni”, tregoi edhe njëherë forcën e Mjeshtrit të Madh në cilësinë e aktorit, regjisorit dhe producentit. Si gjithmonë, edhe në këtë spektakël Sandi solli risi. Në mënyrë absolute ishte skenografia, e cila iu besua një ledwall-i të madh dhe një ndriçimi shumë profesional. Për të vijuar me aktorët por edhe këngëtarët. Sandri i dha dorën emrave jo shumë të njohur të skenës, duke i gërshetuar me emra të mëdhenj të kalibrit Zyliha Miloti, Bujar Qamili, Mukades Çanga etj. Mbase pas disa viteve, kur këta të rinj të ecin përpara- sepse do të ecin, do të kujtohemi për këtë “Turbo Show” dhe njeriun që besoi duke i ngjitur në skenë përkrah tij.

Për të ardhur tek teksti apo libreti i shfaqjes. Sandi ka stilin e tij, tashmë të konsoliduar. Kritika deri në sarkazëm për individë që mbeten të paidentifikuar por edhe fenomene që po nguliten në shoqrërinë tonë. Si gjithmonë, Mjeshtri i Madh bën humor të veçanatë, larg banales por edhe përcjell mesazhe të forta për sot edhe për nesër, por duke mos harruar të kthejë kokën edhe pas, kur duhet.

Të flasim për spektatorin, i cili edhe këtë herë e mbështeti fort Sandrin. Salla ishte plot, madje edhe galeria për ata që e njohin si funksionon teatri “Migjeni” i Shkodrës. E ajo që vlen, një spektator i zgjedhur, i cili në fakt e ndjek nga pas Sandrin dhe artin e tij. E kur sipari ulet, janë të shumtë ata që ngjiten në skenë dhe urojnë, urojnë pa fund. E kështu, Sandri shënoi edhe një tjetër etapë në qytetin e tij, me një spektakël në lartësinë e emrit të tij. La padyshim një gjurmë, mjaft të rëndësishme por edhe një shembull të këmbënguljes në art për të dhuruar art të vlefshëm me mesazhe të forta qytetare. E tash, ai do të ikë sërish drejt atdheut të dytë, SHBA-së por me kokën kthyer pas dhe me një pjesë të zemrës në Shkodër. Jo më pak se gjysmën e zemrës. Por do të vijë. Do të kthehet për sfidën e rradhës, shfaqjen e rradhës dhe spektatori i tij do të jetë duke e pritur… Rrrugë të mbarë e mirëardhsh Sandër! Të presim dhe…faleminderit!