![](https://www.shkodraweb.com/wp-content/uploads/2024/02/tregu-zdrale-2024-1024x536.jpg?x28643)
Para rreth 2 muajve, u prezantua në zyrën e kryebashkiakut Benet Beci, në prani edhe të kryeministrit Rama, projekti që synon transformimin e plotë e të thellë të zonës së Zdrales në qytetin e Shkodrës. Kjo zonë, mund të konsiderohet si “zemra tregtare” e Shkodrës por që fatkeqësisht sot, ofron një pamje të pakëndshme por edhe një standart shërbimi për qytetarët të denjë për Shkodrën e vitit 2024.
ShkodraWeb ka siguruar të plotë projektin për Zdralen dhe duhet pohuar se është tej mase ambicioz dhe transformues i plotë i realitetit që është sot aty. Zona ku do të zbatohet projekti, përfshin një hapësirë të gjerë që nga xhamia e Parrucës (Zig- Zag) deri te tregu pranë stadiumit “Loro Boriçi”. Për pjesën e parë të projektit, ai është në një fazë më të detajuar, nga xhamia e Parrucës deri tek dyqanet e peshkut.
Ndërhyrjet e parashikuara, përfshijnë:
-Rikonceptimin e sheshit pranë Xhamisë Parrucë.
-Rikualifkimin e pallatit te Zig-Zag-u duke i dhënë një pamje të re e kushte më të mira për zhvillim bizneseve të katit të parë.
-Shtrimin me kalldrëm të rrugës dhe krijimin e ishujve të pushimit gjatë rrugës.
-Trajtimin e fasadave të ndërtesave private për të ti dhënë një pamje sa më uniforme rrugës.
-Krijimin e një merkatoje peshku moderne si godinë e pajisje.
-Arredimin urban të një sheshi simpatik te kryqëzimi pranë merkatos së re të peshkut.
Kjo ndërhyrje, krijon një hapësirë të re edhe rikreative, i jep gjallëri kësaj zone, e cila parashikohet të ofrojë sherbime për qytetarët nga ora 08.00- 23.00, pra funksione gjatë ditës dhe gjatë natës, duke stimuluar edhe mundësinë për krijimin e biszneseve të reja.
Sigurisht, pas detajimit të projektit, i cili është mjaft kompleks dhe gjithëpërfshirës, bashkia Shkodër është e angazhuar të nisë një diskutim të hapur me të gjithë banorët përfitues, siç edhe tashmë ka nisur. Diskutimet do të sherbejnë për të arritur në zgjidhjen më të mirë të mundshme, duke rritur në mënyrë të konsiderueshme edhe vlerën e pronave në këtë zonë. Ndërsa pritet që diskutimet të vazhdojnë, projekti ka përcaktuar nisjen e tij brenda vitit 2024. /ShkodraWeb/