“PEOPLE – Personal History of Discrimination and Persecution under the Totalitarian Regimes of the Twentieth Century” u mbyll me eventin përfundimtar të zhvilluar në Lisbonë dhe Município da Marinha Grande, Portugali.
Në këtë projekt morën pjesë partnerët nga Atrium European Cultural Route, lider të projektit, Grad Labin, Bashkia Shkodër, Bashkia Dimitrovgrad dhe Aep61-74 Associação de Exilados Políticos Portugueses.
Projekti u financua nga Bashkimi Europian dhe secili nga partnerët kishte një tematikë të caktuar në lidhje me diskriminimin dhe persekutimin në vendet e tyre gjatë regjimeve totalitare të shekullit të kaluar.
Historia që ka kaluar Shkodra dhe qytetarët e saj gjatë diktaturës komuniste ishte tematika e prezantuar në këtë projekt, i cili bashkoi mbi të gjitha studentë dhe nxënës nga vendet pjesëmarrëse.
Vlerat europiane janë të patjetërsueshme, ndaj edhe pse në kontekste historike të ndryshme kemi patur zhvillime politike të ndryshme, gjërat që na bashkojnë janë më shumë se sa ato që na ndajnë.
Pjesëmarrja në këto projekte do të thotë bashkëndarje të historisë, krijim të urave të komunikimit, por mbi të gjitha promovim dhe respekt karshi vlerave themelore të njeriut, siç janë dinjiteti dhe liria. Kështu projekte të tjera i japin vazhdimësi të ardhmes.