Elisa Spiropali, drejtuese politike e PS- së për Shkodrën, vazhdon takimet në bashki të ndryshme të qarkut. Ndërsa në mëngjes, sipas publikimeve të saj në rrjete sociale ajo ishte në Tiranë “për një çaj” me prefekten Majlinda Angoni dhe kryebashkiakun malësor Tonin Marinaj, pas pak orëve ajo ka qenë në një takim në Kelmend të Malësisë së Madhe, edhe pse fundjavë.
Spiropali ka publikuar disa foto nga një takim i hapur në Tamarë, qendra e njësisë administrative Kelmend. Në publikimin e saj Spiropali shkruan:
“Tamarë, Kelmend – Falemners nga zemra për mikpritjen!
Investimet e realizuara nga qeveria dhe bashkia e Malësisë së Madhe e kanë kthyer këtë zonë ikonike në një nga destinacionet më të dashura për turistë vendas e të huaj, me përfitim të drejtpërdrejtë jo vetëm në ekonominë lokale, por edhe në mbështetjen e potencialit njerëzor që i është dedikuar me mund e sakrificë punës në këtë perlë të Alpeve.
Bashkë për të çuar përpara punët e mira që kemi nisur, dhe për të bërë gjithmonë më shumë.”, përfundon postimin e saj në Facebook Spiropali.
Ndërsa Tonin Marinaj është tashmë i vetmi kandidat i mundshëm i PS- së për mandatin e tretë radhazi, PD- ja por as grupimi “Alibeaj” akoma nuk kanë paraqitur kandidatura të mundshme për zgjedhjet vendore 14 maj 2023.
Madje, Malësia e Madhe është dega e vetme e PD- së që akoma nuk ka përfunduar procesin e rithemelimit me zgjedhjen e kryetarit, kryesisë e strukturave të tjera. Votimi ka dështuar dy herë rresht ndrësa nuk ka një datë se kur do të përfundojë.