Aktorja e njohur shqiptare Eva Pëllumbi ka ndërruar jetë, në moshën 66-vjeçare, në Gjermani, aty ku jetonte prej vitesh me familjen. Eva Pellumbi lindi me 28.03.1953 ne Tirane dhe raportohet se edhe funerali i Pëllumbit do të bëhet në Gjermani.
Për publikuan shqiptar ajo është e njohur për rolet në filmat shqiptarë si ‘Vajza me kordele të kuqe’, ‘Ëndërr për karrige’ apo edhe ‘Kapedani’.
Përveç filmave, aktorja ka punuar për 17 vite në Teatrin e Kukullave ku ka luajtur rolin e Çufos nga vepra e Gaqo Bushakës si dhe Pinokun.
Në një intervistë për mediat vitin e shkuar, Eva Pëllumbi tregoi fillimet e karrierës së saj, dhe sesi kishin arritur që t’i hiqnin edhe autorsinë nga filmat.
“Vlash Dobroniku është i pari regjisor, që më ka vënë emrin në filmat e tij. Mua në ato vite nuk më kanë vlerësuar, nuk më shënonin emrin në filmat multiplikativë, ku unë bëja zërin e personazheve. Ato vite dhe ai që priste kartonin e kishte emrin në filmat multiplikativ ndërsa unë jo. Kjo më rëndonte shumë. Nuk donin. Ishte një mentalitet i kohës,”-thoshte Pëllumbi.