Festa e vertetë për ditëlindjen e trajnerit të Vllaznisë Thomas Brdariç, është zhvendosur në Barbullush. Gardenland Resort, vendgrumbullimi fatndjellës i kuqebluve para sfidave në “Loro Boriçi”, ka qenë skena e festës së organizuar në respekt të 46- vjetorit të timonierit të shkodranëve.
Përveç ekipit, drejtuesve teknikë e administrativë, kanë qenë të pranishëm edhe disa tifozë por edhe artistë. Gjithçka është zbuluar përmes fotove të shumta por edhe videove të shpërndara në rrjete sociale nga festa. Agim Molla, këngëtari i mironjohur popullor por edhe humoristi shkodran Muhamet Çekini, i janë bashkuar festës së organizuar. Madje edhe vetë pronari i Gardenland Resort, njëkohësisht president i KF Murlani, Përparim Raboshta, ka qenë pjesë e festimeve.
Pavarësisht se rregullat e grumbullimit janë strikte, duket se janë thyer sot për Brdariç. Vetë gjermani është shfaqur me një qeleshe në kokë e çifteli në dorë, teksa nuk kanë munguar as edhe urimet e rastit e natyrisht, tortat që kanë qenë më shumë se një. Nuk mund të mungonte në këtë festë por edhe në grumbullimin e radhës së Vllaznisë, kryebashkiakja Voltana Ademi.
Ndërkohë, dhuratën më të bukur e të vlefshme për Brdariç por edhe tifozët shkodranë, mund dhe duhet ta bëjnë nesër futbollistët, në përballjen me Kastriotin. Tre pikë do të ishin “qershia” mbi tortë për të gjithë. /ShkodraWeb Media/