Diktatura komuniste, zyrtarisht ka rënë që në vitin 1991 dhe kjo dihet. Por pasojat e saj vazhdojnë ende të ndjehen në mentalitetin edhe të polikanëve edhe të popullit. Këto pasoja nuk janë të dukshme, të perceptueshme fizikisht si subjekte. Ato shfaqen në sjelljen e përditshme si normalitete dhe si pjesë të natyrshme të karakterit. Shumë prej anomalive ekonomike, politike, psikologjike, sociale etj. të periudhës postkomuniste nuk do të kishin ndodhur nëse populli shqiptar nuk do të kishte kaluar nëpër makinerinë shpërfytyruese të ideologjisë dhe praktikës komuniste.
Një nga këto anomali është dashuria e verbër e patologjike për liderin, për miqtë e liderit, për aleancat e liderit e për gjithçka tjetër që bën ai, pa e vrarë mendjen kurrë nëse ndonjë prej aksioneve të liderit të shkatërron jetën ty, fëmijëve të tu dhe shoqërisë pjesë e të cilës ti je. Praktikisht kjo lloj indiference dhe atrofizimi i intelektit është shenja e fundit e apokalipsit që sapo ka ndodhur në ndërgjegjen dhe moralin tend, në humanizmin tend. Pra nuk bëhet fjalë për diçka thjesht estetike, por për diçka thelbësore që kushtëzon krejt aktivitetin e individit e të grupit.
Tipari kryesor dhe përgjithësues i shoqërisë shqiptare në kohën e monarkisë absolute të Hoxhes, ka qenë budallallepsja kolektive. Një nga aspektet sinjifikative të kësaj tragjikomedie është kënga për udheheqesin, për kongreset e plenumet, për organet e Sigurimit, pra policinë sekrete, për partitë motra dhe udhëheqësit e tyre vellezer, apo dhe për fenomene të ndryshme jashtëshqiptare.
Një nga këngët që është ende legjendare sa i përket idiotizmit është kënga për Mao Ce Dunin. “Dy luanë ka sot bota, një Azia një Evropa. Enver Hoxha Mao ce Duni janë si buka e një brumi”. Që do të thote se luani ideologjik e politik i Evropës në fushen e marksizëm-leninizmit ka qenë Enver Hoxha dhe se Mao, prijësi i një miliard njerëzve kishte të njejten pëshe me Enverin në arenën ndërkombëtare.
Mjafton të mendosh se, për fatin e tyre tragjik intelektual, shumica kujtonte se ishte vërtet kështu. Por në historinë e këngëve politike e internacionaliste proletare shqiptare, mund të gjesh me qindra të tilla, të cilat do të turpëronin çdo tribu, çdo fis të izoluar, çdo kope dykëmbëshash. Kemi këngë për Stalinin e për Leninin, për Gjergj Dimitrovin, për Zhoao Amazonasin e për çdo kryetar të lajthitur partie komuniste nëpër Afrikë e Amerikën Latine. Por janë bëre këngë edhe për personazhe fiction të botës së kinematografisë.
Kam degjuar edhe këngë për Zhaden, një personazh limonadë i një seriali brazilian. Gjithashtu grupi i Zharrëzës “Dasma Myzeqare” ka një këngë për Komisar Katanin, personazhin kryesor të serialit italian “Oktapodi” në vend që të meren me punë bujqësie e t`i shohin hajrin fushës së bekuar të Myzeqesë. Kemi edhe këngë për Donald Trump-in ose “Donald TROM” siç e shqipton në origjinal këngëtari. Se çfarë egzaltimi folklorik e absurd mund të bëjë frymezim tek njeriu për t`iu thurur kënge e bejte liderëve të huaj, kjo mbetet ende enigmatike për studiuesit.
Së fundmi, pra këto ditë, ka dalë në qarkullim një këngë për Erdoganin. Ngjarja, në background-in e saj psikologjik zhvillohet identikisht si tek këngët për Titon, Stalinin, Maon etj. Pra intuita primitive e turmës së përfaqësuar denjësisht nga këta idivide apo grupe muzikore, funksionon në bazë të koniukturave politike të liderit largpamës. Në këtë kontekst, ka lindur me siguri dhe kënga e re për presidentin turk Erdogan, e katranosur nga grupi “Gjergj Arianiti” i Mallakastrës. Mbase nuk do të na binte në sy po të kemi parasysh vesin e vjetër të lavdithurjes. Por është shumë ironike që grupi mban emrin e princit dhe luftëtarit të madh antiosman Gjergj Arianitit. Pra kemi të bëjmë me një ironi fatale që prapambetja luan mbi bartësit e saj.
Lind pyetja se çfarë po bëhet, apo se çfarë duhet të bëjmë. Natyrisht një fenomen i tillë nuk ndalohet me masa teknike. Sepse origjina e tij është shumë thellë mentalitetit dhe psikologjisë së njerezve. Zhvillimi teknologjik ka ecur shumë shpejt edhe në Shqipëri. Por siç shihet, ky zhvillim është në konflikt e kundërshti diametrale me psikologjinë arkaike të turmës, për sa kohë kjo e fundit e shfrytëzon të parën për të bërë videoklipe këngësh për Erdoganin.
“Shqipërisë iu gjend pranë, porsi nëna për evlanë.
Në Turqi tek gjysmëhëna, Erdogan nuk bën më nëna.
Burr i besës që s’të fal, tha të bëhet një spital”.
Kjo është njera nga strofat e këngës. Vetëm kaq mjafton. Pas kësaj, unë nuk do të dija si t’i përgjigjesha pyetjes nëse kanë të drejtë turqit të na ripushtojnë apo jo. /Nga Alfons ZENELI/