Foto/ Fejesa me 1000 te ftuar e deputetes çame

Në qershor të këtij viti Reme Lala u zgjodh deputete në qarkun e Dibrës. 21-vjeçarja fitoi zemrën e dibranëve, duke u bërë kështu deputetja më e re në Kuvend. Por duket se edhe zemrën e Remes e paska fituar dikush.
Burime për “Summer Pages” të “Gazeta Shqiptare” bëjnë me dije se deputetja e PDIU-së është fejuar. Festa është organizuar në vendlindjen e saj, Muhurr, në ambientet e jashtme të një resorti buzë Drinit. Në një festë madhështore, ajo ka bërë bashkë të gjithë patriotët e saj. Duket se festa është bërë në fshatin e saj të lindjes si një shenjë respekti për të gjithë ata dibranë që e mbështetën dhe e zgjodhën deputete. Bëhet me dije se ceremonia ka pasur vetëm miq dhe familjarë, duke mbajtur larg këtij gëzimi politikanët. Me aq sa kemi mundur të mësojmë, politikanë të ftuar në këtë festë kanë qenë vetëm dy deputetët e PDIU-së në Elbasan, Aqif Rakipi dhe Bujar Muça.
Së bashku me Reme Lalën, këta janë tre deputetët që mundën të marrin mandatin nën siglën e PDIU-së. Festa, që ka zgjatur disa orë, ka pasur edhe këngëtarë të ftuar, mes të cilëve Endri Prifti, si dhe një dekorim shumë të veçantë. “GSH” ka siguruar fotot ekskluzive nga ceremonia si dhe pamje të bashkëshortit. Sa i përket fatlumit që i ka rrëmbyer zemrën deputetes së re, nuk dihen shumë detaje. Me aq sa kemi mundur të mësojmë, çifti ka disa kohë bashkë dhe tani kanë kurorëzuar dashurinë e tyre në fejesë. Reme Lala, 21 vjeçe, është studente e Financës. Në zgjedhjet e 25 qershorit ajo ia doli të merrte votat e duhura, duke i dhënë PDIU-së një mandat në Dibër dhe duke zënë një vend të rëndësishëm në Parlamentin e Shqipërisë. Ajo pritet të marrë detyrën si deputete në shtator të këtij viti, ku dhe do të jetë deputetja më e re në Kuvendin tonë. Pa dyshim që ky ka qenë një vit i mbarë për Remen, e cila ia doli të fitonte një post në parlament, e tashmë që fushata ka përfunduar, ka gjetur kohë për të festuar me dashurinë e saj.