Këngëtari i mirënjohur Arben Delaj është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i Bashkisë Malësi e Madhe. Në ceremoninë e organizuar në sallën e Këshillit Bashkiak, kanë qenë të pranishëm familjarë e të afërm të të ndjerit, artistë dhe intelektualë nga M.Madhe dhe më gjërë. Titulli i është akorduar djalit të madh të të ndjerit nga kryebashkiaku Tonin Marinaj. Të pranishmit në takim kanë sjellë përshtypjet e tyre për aktivitetin e Arben Delaj, si një nga këngëtarët më të mirë në Veriun e vendit. Në një postim në faqen zyrtare të Bashkisë së Malësisë së Madhe në Facebook shkruhet:
“Bashkia Malësi e Madhe i akordoi sot titullin ” Qytetar Nderi” (pas vdekjes) artistit Arben Delaj me motivacionin : “Për kontribut të veçantë në fushën e kulturës dhe artit, si organizator në festivalet e zhvilluara dhe si një këngëtar në të gjitha zhanret muzikore duke i bërë një nderim dhe pasurim vlerave të identitetit tonë kulturor si Malësi e Madhe, po aq edhe atij kombëtar “. Emri i tij do të jetojë perjëtësisht!”.
Arben Delaj u nda nga jeta një vit më parë papritur, duke lënë pas trishtimin tek familjarët, të afërmit, miqtë e të njohurit e tij por edhe tek ata që e vlerësuan e deshën përmes artit që ai shpalosi.