EMRAT – PD kallëzon penalisht kryetarin dhe kancelarin e Gjykatës së Tiranës, ja për çfarë i akuzon…

Komisioni i Rithemelimit ka dorëzuar një kallëzim për kryetarin e Gjykatës së Tiranës, Flamur Kapllani, për shpërdorim detyre. Po ashtu, mësohet se është kallëzuar penalisht për veprën e pretenduar shpërdorim detyre edhe kancelari i gjykatës, Donald Xhelili.

Gjykata e Tiranës pranoi dhe regjistroi statutin e PD-së të dalë nga kuvendi i 11 dhjetorit të organizuar nga Komisioni i Rithemelimit. Alibeaj ankimoi vendimin në apel, i cili u pranua.


“Në vijim të qëndrimit të bërë publik nëpërmjet deklaratës së ditës së diel dhe në mungesë të reagimit ligjor dhe institucional nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Partia Demokratike e Shqipërisë ka paraqitur sot kallëzim penal ndaj kryetarit dhe kancelarit të Gjykatës së Tiranës, të cilët në mënyrë të qëllimshme ende nuk i komunikojnë zyrtarisht Partisë Demokratike vendimet gjyqësore të cilat cenojnë interesa të ligjshëm të saj.

Partia Demokratike bën thirrje për organet ligjzbatuese që të hetojnë dhe vënë para përgjegjësisë ligjore këdo, i cili me veprime të paligjshme tenton të ndikojë proceset ligjore në shqyrtim nga gjykatat, pavarësisht pozicionit që mban”, thuhet në reagimin e Rithemelimit.