Në Komisionin e Mediave në Kuvend po zhvillohet online seancë dëgjimore me kandidatë për kryetarë të drejtues të Autoritetit të Mediave Audiovizive.
Data 14 qershor ka qenë afati i fundit për mbylljen e vendeve vakante për kreun dhe anëtarët e bordit të AMA të cilëve ju ka mbaruar mandati, por edhe për vendin e një përfaqësuesi të opozitës që ka qenë Agron Gjekmarkaj, i cili ka marrë mandatin e deputetit.
Emrat kanë kandiduar për kreun e AMA-s janë gazetarja dhe drejtoresha aktuale e ATSH-së Armela Krasniqi, Alketë Dibra, Ermela Guxholli dhe Elvis Gjegji, ndërsa gjithashtu janë edhe gjashtë emra që kandidojnë për anëtarë të bordit drejtues të AMA-s, ku bien në sy edhe emra me eksperiencë në fushën e gazetarisë. Në garë për anëtarë të bordit drejtues janë Edjona Derishi, Ëngjëllush Serjani, Helidon Haliti, Manjola Tërshana, Sajmir Aliaj dhe Joana Allushi.
AMA aktualisht ka mbetur me 3 anëtarë nga 7 që ka gjithsej bordi i saj, që do të thotë se nuk e ka korumin e nevojshëm për të marrë vendime. Kjo ka bërë që Kuvendi të shpallë vakancat e saj për plotësimin e tyre.
Konkretisht një vend ka mbetur bosh që nga shkarkimi i Zylyftar Bregut në 2019 nga Kuvendi me kërkesë të kryetarit të AMA-s, Gentian Sala. Ndërsa dy anëtarëve të tjerë të AMA-s Gledis Gjipalit dhe Piro Mishës u ka mbaruar mandati. Ndërsa vakanca e 4-t është krijuar pas dorëheqjes së Agron Gjekmarkajt si anëtar bordi i AMA-s, i cili u zgjodh deputet i PD në qarkun e Lezhës. Aktualisht në bordin e AMA-s janë Gentian Sala Kryetar, Sami Nezaj zv. kryetar, dhe Suela Musta anëtare.