Shqipëria është vendi i paradokseve. Ka qenë, është dhe fatkeqësisht, nuk ka shenja që do të ndryshojë as në të ardhmen. Jonuz Delaj, pa më të voglin dyshim, është nga rapsodët më të mirë por edhe të njohur në të gjithë Veriun, e aty ku njihet lahuta, mund të konsiderohet edhe si “profesor” i kësaj vegle muzikore.
Në të gjitha vendet normale të botës, një figurë e tillë do të kishte të zgjidhur jo vetëm jetën e tij, në kuptimin ekonomik, por edhe të nipërve. Në fakt, rapsodi Jonuz Delaj na tregon një realitet krejt tjetër, jo i vetmi për figura të shquara të artit, kulturës e sportit sidomos. Kolegu Rifat Ymeri nga Kopliku i M. Madhe, zbulon për publikun një realitet të dhimshëm. Ja çfarë shkruan ai në profilin e tij në Facebook.
“Rapsodi Jonuz Delaj: A ju pëlqejn dyert që saldoj??? Shum e bukur për me pà, por me t’lujt bash mendja e kres, kur e mëson kush e ka bà. Një artist për mbijetesë! 70 vjeç e prap punon. Legjendari i lahutës, 100 euro ka pension. Eh…ç’ka t’ban kafshata e bukës! T’ lumshin duart ty Jonuz Delaj, lutju Zotit me të dhan shendet. Se për pushtetar që kena…nuk u’a ndjen e t’ lan me vdek… Të përshendes gjigand!!!”, përfundon shënimin e tij kolegu Ymeri.
Në fakt, gazetari i mirënjohur i M. Madhe, ngre një çeshtje që duhet të jetë në vemendjen e të gjitha pushteteve, atij vendor e qendror, bashkive, qarqeve e ministrive. Janë disa breza që janë rritur, krenuar e argëtuar me artin e talentin unikal të Jonuz Delaj por edhe qindra të tjerëve artistë në mbarë vendin. Një pyetje e thjeshtë, në rastin e Jonuz Delaj: A ka një brez të ri që po trashëgon traditën e lahutës? Apo, pasi na e morën dhe e regjistruan në UNESCO, nuk ka intereson më ky instrument unikal?!
Është një thirrje miqësore për Bashkinë M.Madhe, ka dhe nëse nuk ka, duhet krijuar një vend, hapësirë për Jonuz Delaj. Qoftë edhe në formën e një kursi në një qendër kulturore, pse jo edhe në zyrën e Kulturës në bashki. Jonuz Delaj ka përfaqësuar me dinjitet M.Madhe, Qarkun e Shkodrës, Veriun e Shqipërisë e më gjërë, për dhjetra vite. Është duartrokitur nga mijëra spektatorë. Kaq, është më e pakta që mund të bëhet për të.
Nuk ka aspak vlerë të kujtohemi për Jonuzin e qindra të tjerë artistë, atëherë kur të mos jenë më mes nesh. Nuk i bën nder as Malësisë së Madhe që të mësohet se një rapsod i këtij kalibri, me pension qesharak 100 euro, duhet të punojë saldator për të siguruar jetesën. Duhet të kujtohemi sot sepse nesër do të jetë vonë. Një tufë lule apo kunorë nuk do të sherbejë për mbuluar anashkalimin për së gjalli. Qofsh jetëgjatë o magjistar i lahutës Jonuz Delaj! Do të jetosh më gjatë se të gjithë ne, me artin tënd e lahutën tënde! /ShkodraWeb Media/