Pesë të huaj në fushë dhe malazezët të lua jnë si… shqiptarë. Është ky propozimi që bën klubi i Vllaznisë për sezonin e ri në Kategorinë Superiore.
Në prag të disa vendimeve të rëndësishme që do të marrë Komiteti Ekzekutiv në FSHF, presidenti i Ligës Profesioniste, Edvin Libohova, është duke zhvilluar takime me drejtuesit e 10 klubeve të Superiores. Radhën për të diskutuar dje në ambientet e institucionit të futbollit në lidhje me propozimet që liga do t’i bëjë Komitetit Ekzekutiv, e kishin katër klube: Tirana, Vllaznia, Luftëtari dhe Bylisi.
Bardheblutë përfaqësoheshin nga drejtori sportiv Arbi Laçi, shkodranët nga administratori Suad Lici, gjirokastritët nga menaxheri Vangjel Çavo, si dhe ballshiotët nga presidenti Besnik Kapllanaj. “Panorama Sport” mëson se administratori Lici ka kërkuar rritjen e numrit të të huajve, pra nga 4 që lejohen, të shkojë në pesë të tillë brenda një ndeshjeje.
Natyrisht, kjo kërkesë nuk është as e para dhe as e fundit që bëhet nga drejtuesit e klubeve në Superiore, por që vazhdimisht është refuzuar nga Komiteti Ekzekutiv.
Ndërkohë, gazeta zbulon se klubi shkodran ka edhe një tjetër ide, pikërisht për futbollistët nga Mali i Zi. Duke qenë se FSHF vendosi vitin e kaluar që edhe lojtarët me pasaportë maqedonase të luajnë si shqiptarë, pra të mos cilësohen të huaj, Vllaznia kërkon që e njëjta gjë të ndodhë edhe me malazezë.