ShkodraWeb Media ka siguruar urdhrin e dalë nga Partia Demokratike dhe që mban firmën e sekretarit të përgjithshëm Gazment Bardhi lidhur me vijimin e procesit të përzgjedhjes së emrave për kandidatë për deputetë me 25 prill 2021 në Qarkun e Shkodrës. Siç mund ta shihni edhe në tabelën më poshtë që shoqëron urdhrin, sipas bashkive, në të gjithë qarkun do të votohet në një datë, 30 shtator. Votimi do të kryhet sipas vendeve të përcaktuara dhe do të nisë në 10.00 për tu mbyllur në 18.00. Në Bashkinë e Shkodrës, të gjithë antarët e PD-së, kanë të drejtë të kontestojnë (të shprehin rezervën e tyre) për jo më shumë se 4 emra nga rreth 20 që sipas gjasave do të sillen për votim nga Tirana. Që emri të konsiderohet i kontestuar, numri minimal i votave që duhet të merret, është 620.
Ndërkohë, urdhri përcakton edhe rregullat e procedurat që duhen ndjekur për të realizuar siç duhet procesin. Më poshtë, mund të lexoni edhe orientimet që jepen për procesin. Ajo që është vertetë interesante, është se kandidatët duhet të firmosin një deklaratë ku marrin përgjegjësitë për të mos u përfshirë në praktika të ndaluara, që pengojnë garën e lirë. Pra, ai që mund të konsiderohet lobin negativ në dëm të ndonjë kandidature. Nëse kjo ndodh, kandidati skualifikohet nga gara e mëtejshme.
Po ashtu, një tjetër garanci në këtë drejtim, është edhe shpallja e listës me emrat e kandidatëve që do të votohen, 24 orët e fundit para 30 shtatorit 2020, duke parandaluar çdo lobim të mundshëm negativ. Nga burime jo zyrtare mësohet se lista përfundimtare e kandidaturave për Qarkun e Shkodrës do të jetë me 35 emra, ku 20 do të jenë për Shkodrën, 5 për M.Madhe dhe Vau- Dejësin dhe po kaq për Pukën e Fushë- Arrëzin. /ShkodraWeb Media/