Partia Demokratike ka patur një zyrë në mjediset e brendshme të Bashkisë Shkodër. Kjo është mësuar nga ShkodraWeb, pasi ka siguruar një dokument ku Bashkia Shkodër i kërkon PD- së zyrtare ta lirojë atë.
Në shkresën e firmosur nga zëvendëskryetari Onid Bejleri, shkruhet si më poshtë vijon:
“Partia Demokratike e Shqipërisë Dega Shkodër ka në përdorim një zyrë pranë godinës së bashkisë Shkodër, kati I, objekt në pronësi të bashkisë Shkodër. Në kushtet e rivlerësimit të nevojave për zyra të administratës, enti pronar Bashkia Shkodër ka vendosur që kjo zyrë do të përdoret nga vetë institucioni në funksion të përmbushjes së veprimtarisë dhe aktiviteteve me interes publik sipas përcaktimeve të ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar.
Për sa më sipër, kërkojmë nga ana Juaj:
-të merrni masa për lirimin e zyrës aktuale, dhe të zhvendoseni pranë ambienteve të Qendrës Komunitare Familja, Ngjyrat nr. 1, për vazhdimin e aktivitetit tuaj.
Lutemi që lirimi i zyrës të bëhet brenda datës 15.12.2023. Duke ju falenderuar për mirëkuptimin…”, thuhet të shkresën e Bashkisë Shkodër.
Pavarësisht se nuk saktësohet në shkresë, me gjasë bëhet fjalë për zyrën e deputetëve të Shkodrës, e ndërtuar nga OSBE brenda ndërtesës së Bashkisë Shkodër, e cila nga sa kuptohet nga dokumenti më poshtë, ka qenë në administrim nga PD Shkodër.