Kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, i ka dërguar letër kryeprokurorës Arta Marku, pas lajmit të publikuar nga Partia Demokratike se Prokuroria e Përgjithshme ka arritur në përfundimin që Agim Kajmaku është shtetasi Jorgo Toto, i arrestuar në Greqi për falsifikim parash.
Në përgjigjen e publikuar sot nga Sekretari i PD, Gazmend Bardhi, Prokuroria i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve t’i hiqet mandati i kryebashkiakut Agim Kajmakut, pasi ka gënjyer në formularin e Dek.riminalizimit. Në letrën drejtuar Markut, Kajmaku sqaron se është vënë në dijeni të dënimit nga autoritetet greke pasi është zgjedhur kryebashkiak i Vorës.
“Si subjekt i interesuar menjëherë jam paraqitur pranë autoriteteve përkatëse greke dhe kam kërkuar informacion lidhur me pretendimet e mësipërme. Nga informacionet e marra ka rezultuar se në ngarkimin tim ekzistonte një çështje penale e pezulluar nga autoritetet përkatëse të distriktit të Artës, Greqi, lidhur me një ngjarje të datës 13 janar 2003, për të cilën unë nuk kam pasur dijeni më parë”, thekson Kajmaku.
“Pavarësisht vendimit të pafajësisë së sipërpërshkruar, unë kam kërkuar dhe jam në pritje të të dhënave me shkrim nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, Janinë, Greqi për rrethanat e marrjes së ndonjë mase sigurimi apo ndonjë urdhri ndërkombëtar kërkimi me emrin tim për këtë rast dhe në momentin që do t’i administroj, do t’ua vë në dispozicion së bashku me vendimin e plotë të zbardhur të pafajësisë nr. 236, datë 12.09.2019 si edhe do t’i pasqyroj ato edhe në dokumentin përkatës sipas ligjit”, thuhet në letrën që Kajmaku i drejton kryeprokurores në detyrë Arta Marku, e nënshkruar gjatë ditës së sotme.