DOKUMENTI – Abuzimi me subvencionin e naftës, fermerët e Vau Dejësit kallëzojnë penalisht kryebashkiakun Mark Babani

Fermerët e Vaut të Dejës janë drejtuar në prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, pas dy protestave lidhur me abuzimin e subvencionit në shpërndarjen e karburantit dhe mungesës së reagimit nga ana e institucioneve.

Ata kanë kallëzuar institucionet përgjegjëse për shkeljet e kryera, lidhur me mënyrën e administrimit të Fondit dhe procesit të përzgjedhjes së aplikuesve që duhet të përfitonin nga Skema Kombëtare për vitin 2022.


Njoftimi:

Pas dy protestave radhazi nga fermeret e Bashkisë Vau Dejës, lidhur me abuzimin e subvencionit në shpërndarjen e karburantit, si edhe duke mos patur as edhe një reagim nga ana e institucioneve përgjegjësve, për të frenuar kete vjedhje në mënyrë të hapur, jemi drejtur sot Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për kallëzim të institucioneve përgjegjës për shkeljet e kryera, lidhur me mënyrën e administrimit të Fondit dhe procesit të përzgjedhjes së aplikuesve që duhet të përfitonin nga Skema Kombëtare për vitin 2022. Shkeljet e kryera nga institucionet përgjegjëse janë si më poshtë:

1.Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural nuk ka publikuar në faqen zyrtare të web sitit te saj, listën pjesore dhe atë përfundimtare të përfituesve, siç parashikon UDHËZIM Nr. 1, datë 11.2.2022.

2.Bashkia Vau Dejës ka abuzuar me të drejtën që i është dhënë, sipas pikës 12, Kreu III – APLIKIMI PËR NAFTË PËR BUJQËSINË, UDHËZIM Nr. 1, datë 11.2.2022, në lëshimin e kontratave për qiramarrje, të cilat kanë qenë fiktive dhe të falsifikuara, me qëllim abuzimin me fondet publike;

3.Në listat e Përfituesve, rezulton se janë shpallur përfitues punonjës të Administratës së Drejtorisë së Bujqësisë dhe Bashkisë Vau Dejës, pjesëtarë të familjeve të tyre, si dhe të afërm të tyre, që nuk plotësojnë as edhe një kriter për të qenë fitues, pasi nuk kanë tokë të punuar.

4.Në listat e Përfituesve ka fermer që nuk banojnë në Bashkinë Vau Dejës me vite të tëra, madje ka dhe nga ato “fermer” që janë përfitues që jetojnë edhe jashtë Shqipërisë.

5.Në listat e Përfituesve ka anëtar të së njëjtës familje, të cilët kanë përfituar naftë 2 herë për të njëjtat sipërfaqe të tokës, duke abuzuar në bashkëpunim me Bashkinë Vau Dejës me anë të kontratatave fiktive të qiramarrjes, të nënshkruara nga Bashkia Vau Dejës.

6.Ka më shumë se një përfitues për të njëjtën sipërfaqe të tokës, duke shpallur dy përfitues të ndryshëm për të njëjtën pronë, herën e parë është vetë fermeri, dhe hera e dytë është abuzim për t’ia dhënë dikujt tjetër.

7.Ndryshe nga sa parashikon Udhëzimi, dyshojmë se nuk është bërë kontrolli faktik në terren me qëllimin për të verifikuar përputhshmërinë e vetëdeklarimit me situatën reale në terren, si dhe nuk është publikuar lista e subjekteve të skualifikuara, siç parashikon UDHËZIM Nr. 1, datë 11.2.2022.

I bëjmë thirrje Prokurorisë, të kryej një hetim të plotë, të gjithanshëm dhe në një kohë sa më të shkurtër, për vetë specifikën e rastit, pasi kulturat e mbjella janë kryesisht sezonale. Gjithashtu kërkojmë regjistrimin e procedimit penal dhe shqyrtimin e menjëhershëm të këtij kallëzimi dhe kryerjen e verifikimeve paraprake.

Nësë nuk do të ketë as dhe një reagim ne do të i drejtohemi PROKURORISË KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR (SPAK).