Vrasja e 21-vjeçares Ariela Murati, studente e Fakultetit të Drejtësisë, tronditi mbarë opinionin publik. Ajo u qëllua me dy plumba në sy të motrës dhe kushërirës së saj nga Aldison Belulaj, 23-vjeç për një lidhje dashurie të ndërprerë dy muaj më parë.
Kur kanë kaluar dy ditë nga kjo ngjarje, Report Tv zbardh detaje të reja. Gazetari Driçim Çaka raporton se të afërm të dy të rinjve bëjnë të ditur se Ariela dhe Aldisoni kanë qenë të lidhur prej katër vitesh. Sipas tyre, 21-vjeçarja kishte kërkuar ndarjen para dy muajsh, por kjo nuk është pritur mirë nga i riu i cili i ka kërkuar të riktheheshin sërish bashkë. 10 ditë para krimit të rëndë, Ariela ndryshon numrin e telefonit, duke ndërprerë kështu çdo komunikim me ish-të dashurin të cilin e njihte që nga koha e gjimnazit “Sotir Capo” në Zharrëz të Fierit.
Mësohet se Aldison Belulaj kishte disa ditë që kërkonte Arielën në Tiranë – ndërsa përballja e të dielës te Universiteti i Mjekësisë, rezultoi fatale për studenten e Drejtësisë e cila pas debatit me 23-vjeçarin, u qëllua nga ky i fundit me plumb në kokë në prani të motrës dhe kushërirës së saj, pavarësisht përgjërimit të saj që të mos e vriste. Mësohet se Ariela i është ulur në gjunjë autorit dhe i ka kërkuar të mos e vrasë. Pas krimit, Belulaj tentoi vetëvrasjen dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën në Spitalin e Traumës.
Një ditë më parë Ariela Muratit iu dha lamtumira e fundit Ariela Muratit në Zharrëz të Fierit. Po në këtë fshat banon edhe familja e Aldison Belulajt. Ndërsa këtë të martë studentët e Drejtësisë zhvilluan një marshim homazh dhe ndezën qirinj e vendosën lule në vendin ku 21-vjeçarja u vra nga ish-i dashuri.