Kryeministri i vendit ka pranuar publikisht se dy ish- ministra të qeverisë së tij kanë qëndruar në detyrë pa patur certifikatën e sigurisë të lëshuar nga DSIK. Pak më herët, ai ka deklaruar se presidenti aktual, ish- kryetari i Kuvendit e ka marrë këtë deklaratë për 3 ditë. Ndërsa faktet tregojnë se kandidati për ministër i jashtëm, e ka marrë atë për 24 orë ndërsa ka qëndruar në detyrë si zëvendësministër i jashtëm pa e patur certifikatën e sigurisë nga DSIK. Në rastin më të mirë, Rama pohon se ka qenë në dijeni të shkeljes së ligjit dhe nuk ka kryer detyrën si çdo qytetar i thjeshtë për të denoncuar në organet ligjzbatuese këtë fakt duke zgjedhur heshtjen.
“Lufta e ftohtë” kryeministër- president po nxjerr në dritën e diellit një pozicion aspak komod për Edi Ramën. Në mos në sytë e shqiptarëve, të paktën tek ndërkombëtarët. Sidomos tek aleatët e NATO-s dhe BE-së.
Pyetja e natyrshme është: Çfarë po ndodh me kryeministrin Edi Rama?
Është e qartë se dalja në skenë e skandalit të falsifikimit të dokumentave të kompanisë që fitoi tenderin e Unazës së re të Tiranës, ka shënuar një ndryshim total të qasjes së kryeministrit me postin e tij, zbatimin e ligjit por edhe sjelljen sociale.
Edi Rama ka humur durimin, është bërë nervoz dhe cinizmi i tij i njohur, është në shkallën siperiore. Edhe oratoria, një pikë e fortë e tij, ka nisur “të bëjë bark”. Vendin e batutave të njohura, e kanë zënë fjalë që na kujtojnë Ramën e fillimit të futjes në politikën e lartë si ministër i kulturës apo kryebashkiak.
E për të vijuar me veprimet. Një organizatë shumë e rëndësishme e tij, siç është Policia e Shtetit, është futur në një linjë veprimi deri diku të pakuptimtë. Ndërsa është harruar “Forca e ligjit”, sot fokusi i punës duket se janë studentët. Përfundoi me vënie duarsh në fytin e një studenti pasi startoi me procedim penal për studentët që “guxuan” të gozhdojnë dyert e fakulteteve që duhej të bënin mëlsim nëse nuk do ishin në protestë.
Në rastin më të mirë, sjellja e kryeministrit është e pashpjegueshme. I dhënë pas portaleve qeveritare dhe jo që sipas tij, duhet të ndryshojnë jetën e shqiptarëve, ai i është turrur edhe mediave. Natyrisht, atyre që edhe përmes rrjeteve sociale, janë bërë ngacmuese për shefin e qeverisë. Sepse të tjerat, e kanë shumë më të lehtë ti qëndrojnë në krah se sa përballë pushtetit. Ai beson se realiteti i Shqipërisë është ai i përcjellë nga ERTV e tij dhe ertv-të e qeverisë, është realiteti që mesa duket i kanë përcjellë ministrat e tij, të cilët edhe pse kanë punuar shumë mirë, largoi me një të “rënë të lapsit” 8 syresh.
“Qershia mbi tortë” është përballja frontale me ish- aleatin e tij, sot president i vendit Ilir Meta. “Doktorresha e shkencave” është togfjalëshi që po e fut Edi Ramën në vorbullën e një sjellje që tek ai nuk ishte shumë e dukshme për hir të realietit. Pavarësisht se bashkëshortja është përjashtuar edhe zyrtarisht nga familja presidenciale, kryeministri kërkon të devijojë vëmendjen e tioj pikërisht tek ky segment për të goditur Ilir Metën, i cili sipas gjasave, ka vendosur të luajë politikisht por duke e mveshur me një bazë të fortë ligjore çdo veprim që synon dobësimin e Edi Ramës.
Edi Rama ka ndryshuar. Madje dukshëm, gjatë më shumë se 2 muajve të fundit. Nëse do të ishte thjesht kryetar i një partie politike, mbase do të shkaktonte më pak dëme. Por qenia e tij si njeriu më i fuqishëm në vend, mund të krijojë pasoja të rënda edhe për Shqipërinë. E vetmja mënyrë për ta kthyer në pozicionim normal, mund të vijë përmes grupit të tij parlamentar dhe aleatëve publikë e të fshehtë në Parlament. Por sipas gjasave, Rama nuk ka arsye të ndjehet i rrezikuar. Thuajse po venerohet, adhurohet si perëndi. Çdo nismë e tij kalohet thuajse apriori. Në rastin më të mirë, ka debate me efekt publik.
E vetmja “pikë e fortë” e tij aktualisht, është PR-i. Jo për shkak të cilësisë së komunikimit por përmes kohëzgjatjes së tij përmes rrjeteve sociale, ERTV-së dhe ertv-ve pro qeveritare.
Deri para pak kohëve, të gjithë dhe jo pa kërshëri, prisnin të mësonin cila do të ishte batuta e rradhës e kryeministrit. Sot, të gjithë presin të dëgjojnë gafën e rradhës së Ramës, duke shpresuar të prodhojë sa më pak dëme për Shqipërinë e shqiptarët. /Shënim i ShkodraWeb/