Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka pranuar kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, për të shtyrë për javën ardhshme marrjen e tyre në pyetje.
Jamarbër Malltezi duhet të paraqitej ditën e sotme (17 janar) në SPAK për tu marrë në pyetje në lidhje me çështjen Partizani, ndërsa ish-kryeministri ditën e nesërme.
Ndërkohë kujtojmë se Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka regjistruar dy ankimet e ish-kryeministrit Sali Berisha, atë të “arrestit të shtëpisë” dhe përjashtimin e gjyqtares së çështjes.
Në njoftimin e Gjykata e Posaçme e Apelit thuhet gjithashtu se trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarja Iliriana Olldashi.
Sali Berisha kërkon zëvendësimin e kësaj mase sigurie që ju caktua nga GJKKO më 30 Dhjetor 2023.
Ish-kryeministri dyshohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Sipas dosjes se SPAK, Berisha ka favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin, për privatizimin e ish-Kompleksit Sportiv Partizani.
Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Gjithashtu, Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë cilësuar këtë masë si përpjekje për asgjësimin e opozitës.
Kërkesa për zëvendësimin e masës së arrestit u bë pasi Berisha refuzoi të zbatonte masat e mëparshme të detyrimit për paraqitje dhe ndalimit të daljes jashtë shtetit, duke i konsideruar ato si antikushtetuese.