
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali iu përgjigj ashpër deputetes Rudina Hajdari, teksa kjo e fundit u kërkoi grave socialiste që të mos fshihen pas listave të kryetarëve dhe të përballen vetë me votën e popullit. Spiropali i tha zonjës Hajdari se edhe ajo vetë kishte ardhur në Parlament nga Partia Demokratike.
Spiropali: E nderuar Rudina mbaj gojën në Kuvendin e Shqipërisë. Vëri fre vetes. Iu drejtove deputetëve të Partisë Socialiste. Nuk të kanë asnjë borxh që i akuzon për korrupsion, broçkullis këtu, pa fund, pa mes, pa sens. Dakord?! Nuk të kemi asnjë borxh. Në rast se ne mbajmë përgjegjësi për listën tonë, mbaj edhe ti përgjegjësi edhe për anëtarët e familjes tënde biologjike dhe politike nga ke dalë.
Nëse do të flasësh këtu për lista, ti nuk je e votuar. Ke hyrë nga lista e PD-së. Dil tani në votim dhe shiko sa vota merr. Provoje. Pije detin, hyj detit në këmbë. Do dalësh në breg të lumit, apo në bregun tjetër. Ne nuk jemi këtu për të fyer njëri-tjetrin, për të bërë pretenca prokurorie.
Hajdari: Ju sot rrini këtu, ndërkohë që shqiptarët enden nëpër rrugët e Evropës. 70% e të rinjve duan ta braktisin vendin. 90% e tyre nuk duan të kthehen më. E ndjeheni krenar për këtë? Që keni arritur kulmin që Shqipëria të mbetet një nga vendet më të varfra në Evropë. Nëse doni ta fitonin që jemi deputetë të nderuar, dilni përpara popullit. Takojeni dhe merrni votat e atyre dhe mos u mbroni me listat e kryetarëve. Edhe gratë këtu në Parlament.
Doni të vazhdojë çdo gjë njësoj. Ndërkohë që popullin e mashtroni, ju vetë këtu krijoni një iluzion sikur po hapen listat, ndërkohë që ato nuk po hapen. Ka dy rrugë, keni një mundësi për të tërhequr propozimin tuaj dhe mund të mbani pak dinjitet në këtë mashtrim të madh në këtë histori, ose të humbisni me dinjitet në këtë histori. Koha juaj ka mbaruar sepse unë e shikoj në zemrat e të gjithë shqiptarëve. Janë të lodhur duke iu parë në ekran duke u dridhur dhe spërdridhur dhe pas 30 vitesh, Shqipëria është më e varfra në Evropë. E shikoj tek të rinjtë që ju shikojnë ju si pronarët e këtij vendi, e shikoj tek gratë dhe vajzat e reja që nuk duan t’ia dinë për ju dhe do t’ju ndëshkojnë me votë. Koha juaj ka mbaruar.