“Bomba” e Topallit: Nese Berisha deshiron, e nis Bashen nga PD per 24 ore

Ish-deputetja demokrate Jozefina Topalli është shprehur e zhgënjyer, e tronditur për mungesën e saj në parlamentin e ri, por jo për mungesë e saj në grupin e PD. Ajo ka thënë se nëse ish-lideri i PD-së do, mund ta shkarkojë Lulzim Bashën për 24 orë, ndaj të cilit ka renditur një sërë akuzash dhe kritikash.
“Ishte e papritur, nuk gjen sens, nuk gjen logjik, nuk gjen arsye”, kështu është shprehur Jozefina Topalli për mungesën e saj në parlament. Ajo shprehet se ky ka qenë një vendim i familjes Basha dhe për këtë arsye nuk ndjen keqardhje. “Është një vendim i familjes së Bashës, prandaj s’kam asgjë keqardhje. Më vjen keq që s’jam në Parlament, por s’më vjen keq që s’jam pjesë e grupit të tyre. Një pjesë e atij grupi nuk kanë lidhje me PD, nuk i lidh asgjë me Partinë Demokratike, nuk i kam parë ndonjëherë të japin një kontribut për të djathtët, nuk i njoh”, tha Topalli në emisionin “Oktapod”.
Ajo foli edhe për kohën që ka qenë në qeveri dhe opozitë me Lulzim Bashën dhe se çfarë nuk i pëlqente te ai. “Gjatë bashkëjetesës me Bashën nuk më pëlqente te ai papërgjegjshmëria që ai kishte në ushtrimin e funksioneve shumë të rëndësishme që kishte. Kur ishte në Bashki, nuk punoi gjatë katër viteve, nuk la asnjë gjurmë. Kryetar i Bashkisë së Tiranës, është të jesh kryeministër i këtij qyteti. Të jesh katër vite dhe të mos lësh asgjë, nuk e imagjinoj. Është detyrë, është premtim, është sfidë”, – u shpreh ajo.
Ish-deputetja deklaron se nuk e ka besuar asnjëherë që Lulzim Basha do ta çonte PD-në në nivelin tjetër, pasi e la Berisha. Ajo që ndodhi sipas saj është shumë e rëndë sepse të flirtosh dhe të jesh në opozitë nuk shkojnë të dyja bashkë. “Te flirtosh nuk do të thotë të jesh në qeveri, edhe pse ai në qeveri ka qenë 3 muaj rresht, me ata të ashtuquajtur ministra teknikë”, tha Topalli.
Sipas saj Basha ka marrë peng siglën e Partisë Demokratike. “Po të donte z. Berisha ta hiqte Lulin nga kreu i kësaj partie, kjo do të ndodhte brenda 24 orëve. Ai nuk e bën këtë, sepse Berisha kur dha dorëheqjen tha që betejat e mia kanë mbaruar”.
Topalli foli edhe sesa e ka zëvendësuar Basha liderin Berisha në krye të PD-së!
“Nuk ishte e thjeshte që pas ikjes se Berishës, dikush të zinte karrigen. Problemi është se të jesh kryetar i PD-së, së pari duhet të kesh autoritet moral, duhet të jesh i vërtetë, duhet të jesh frymëzues, duhet të bësh beteja të forta, nuk mendoj se ndonjërën prej tyre e ka Basha. Nga 2005 deri në 2017, janë 12 vite në politikë, ka pasur të gjitha shanset për të na bindur se ai mund të ishte një kryetar, por nuk e bëri. Ne shkodranet kemi një shprehje ‘nuk është me të bleme, asht me të leme’.
Nëse ka një fjalë që e përshkruan Lulzim Bashën është se: ai është i rremë në fushatë, i rremë kur flet”, – deklaroi ajo.
Topalli foli edhe për marrëveshjen e 18 majit, dhe për zgjedhjet e fituara nga socialistët, duke u ndalur ne togfjalëshin: “Rama ia hodhi Bashës”
Ish-deputetja e PD-së, shprehu rezerva edhe për mënyrën e komunikimit që Basha kishte në çadrën e lirisë. “Basha në 5 jave në çadër, ka sulmuar më shumë perëndimin se Ramiz Alia në 5 vite”, – përfundon ajo.