GRUPI ANTI- BASHA/ Publikohen 12 kushtet e grupit “rebel” brenda Partise Demokratike

Lista ‘Basha’ dhe humbja e radhës në zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit ka futur me shpejtësi Partinë Demokratike në një vorbull armiqësie politike. Në mungesë të një kompromisi të mundshëm në horizont, sipas gjasave, konflikti mes dy kampeve brenda llojit, do të përshkallëzohet në muajit në vijim, çka mund të dëmtojë interesat e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Tre muaj pas startimit të përplasjeve publike mes Lulzim Bashës dhe gardës së vjetër, në lojë ka hyrë ish-kryeministri, Sali Berisha. Ky i fundit, edhe pse e mbështeti për t’u rikonfirmuar në krye të PD, disa ditë më parë, artikuloi kritika të rënda në adresë të Lulzim Bashës, me sa duket për të zbutur të përjashtuarit nga lista e kandidatëve për deputetë. Në të gjitha daljet e tij, Berisha ka vënë theksin tek bashkimi dhe unifikimi i të gjithë faktorëve opozitarë. Ndërkaq, në mbledhjen e fundit të Kryesisë, edhe Lulzim Basha bëri thirrje për bashkim, duke vënë në pah se akuzat dhe debatet çojnë ujë në mullirin e kundërshtarit politik.
Kushtet e grupit rebel
Grupi anti-Basha në Partinë Demokratike, i cili u përjashtuar brenda një nate nga parlamenti i ri, ka artikuluar disa kushte për lidershipin demokrat, plotësimi i të cilave do të krijonte një klimë për pajtim dhe bashkim. Kushtet janë artikuluar gjatë javëve të fundit, kryesisht nga udhëheqësi i këtij grupimi, Astrit Patozi, por edhe nga Majlinda Bregu, Jozefina Topalli apo Arben Imami.
Një nga kushtet kryesore është kufizimi i mandatit të kryetarit të Partisë Demokratike, duke e përcaktuar në statusin e partisë, me dy ose tre mandate. Një tjetër kërkesë e rëndësishme është përcaktimi në statuti i dorëheqjes së kryetarit të partisë në rast humbjeje në zgjedhje. Grupi që mendon ndryshe kërkon gjithashtu kufizimin e kompetencave të kryetarit dhe kalimi i tyre në duart e forumeve të larta të partisë. Siç duhet, kushtet kryesore konsistojnë në largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë me anë të parashikimeve në statut.

 Kushtet kryesore të grupit rebel
1.Kufizim i mandateve të kryetarit të partisë, deri në dy ose tre mandate.


2.Kufizimi kompetencave të kryetarit dhe kalimi i tyre në duart e forumeve të larta të partisë.

3.Përcaktimi në statut i dorëheqjes së kryetarit në rast humbjeje.

4.Përfaqësimi lartë politik të diktohet me votë nga anëtarësia dhe forumet e PD.

5.Ndalimi dhe përcaktimi i masave për shkeljen e çdo neni të statutit të PD.

6.Mbajtja e përgjegjësive dhe analizë serioze për rezultatin në zgjedhjet e 25 Qershorit.

7.Respektimi u simboleve të PD, flamuri dhe shenjat dalluese.

8.Respektimi për vlerat dhe kontributet në PD në vite.

9.Ftesë e demokratëve të larguar që nga viti ’91 e deri më sot për t’u bashkuar.

10.Riorganizim i Partisë Demokratike, si nevojë e brendshme dhe sociale e Shqipërisë.

11.Dënimi i personave që u shfaqën duke votuar disa herë në zgjedhjet për kreun e PD.

12.Rikthimi i PD në shinat e legjitimitetit të votës së pavjedhur.