Siç kishte njoftuar më herët përmes rrjeteve sociale, Bashkia Malësi e Madhe ka organizuar ditën e sotme dëgjesën publike për “Projekt Buxhetin afatmesëm 2022-2024”. Në një publikim në faqen zyrtare të kësaj bashkie në Facebook, shoqëruar me foto nga kjo dëgjesë, njoftohet se “Drejtoria e Finances dhe Buxhetit ka organizuar sot dëgjesën publike për “Projekt Buxhetin afatmesëm 2022-2024″. Gjatë kësaj dëgjese janë shtruar për diskutim pyetje dhe sugjerime të cilat do të shqyrtohen në vazhdim nga specialistet e kësaj Drejtorie.”.
Ndërkohë, sipas portalit “Zani Veriut”, ka patur një interesim të ulët të qytetarëve për të qenë të pranishëm. “Dëgjesë publike për projekt buxhetin 2022-2024. Interesim i ulët i qytetarëve ,dëgjesa vetëm me administratën dhe nëpunës të Bashkisë.”, informon në faqen zyrtare në Facebook ky portal i Malësisë së Madhe.
Dëgjesat publike kanë qëllim në vetvete tërheqjen e qytetarëve në diskutime e sugjerime, me synim përafrimin e buxhetit të bashkisë me nevojat e prioritetet e banorëve në territor. Nga ana tjetër, Bashkia Malësi e Madhe e ka shpallur publikisht dëgjesën, ndërsa pjesëmarrja e ulët e malësorëve tani për tani, nuk ka një shpjegim logjik. Ndoshta mungesa e titullarëve të bashkisë në këtë degjesë ka ndikuar tek qytetarët. /ShkodraWeb/