“Bashkëpunëtor i bandave”, kush është efektivi i policisë që u arrestua nga kolegët e tij ditën e sotme, dyshohet si…

Shefi i Krimeve të rënda në Komisariatin e Lezhës, Leonard Palushi është vënë në prangat e policisë gjatë mega-operacionit të SPAK dhe policisë së Shtetit, ku u goditën 8 grupeve kriminale që vepronin në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

Leonard Palushi akuzohet për shpërdorim detyre, ndërsa kreu i SPAK kur u pyet nëse efektivi dekonspironte operacionet e policisë u përgjigj: “Personi që ju thoni është pjesë e strukturës së policisë së shtetit, ka dal për të një masë “Arrest me burg” për shpërdorim të detyrës, për detaje më tepër nuk mund të themi pasi është pjesë e procesit të hetimit.


Nuk kemi asnjë dyshim për dekonspirim, por procedurat janë të tilla që kërkojnë kohën e duhur se ishte një numër shumë i lartë i personave që i ka dal masa e sigurimit.”

Kush është efektivi i krimeve të rënda në Lezhë?

Leonard Palushi ishte i përfshirë në ngjarjen e rëndë më 28 shtator, ku u ekzekutua me armë zjarri kolegu i tij, oficeri i krimeve Saimir Hoxha, nga i riu Aldi Rama.

Mëngjesin e asaj dite, ai së bashku me dy efektivët, Saimir Hoxha dhe Petrit Doda udhëtuan të veshur civil drejt ishull Lezhë.

Sipas dëshmisë së Leonard Palushit, ata kishin asgjësuar një parcelë me kanabis dhe në kthimin janë këmbyer në rrugë me automjetin ku udhëtonte i ndjeri Aldi Rama dhe dy të rinj të tjerë.

Efektivët i kërkuan 21-vjeçarit Aldi Rama të tregonte mjetin e identifikimit, por në këtë moment i riu ka qëlluar me armë në drejtim të efektivit Saimir Hoxha duke e lënë të vdekur në vend.

Në këtë moment, Leonard Palushi dhe Petrit Doda janë vënë në ndjekje të dy të rinjve që ndodheshin në makinë me Aldi Ramën, duke arritur t’i arrestojnë, ndërsa 21-vjeçari u largua me automjet nga vendngjarja.

Dëshmia e tij pas krimit

Punoj pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, me detyrën shef i krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë që nga viti 2020. Më datë 28.09.2021, si çdo ditë kam ardhur në punë në orën 08:00 dhe rreth orës 09:00 së bashku me oficerin e krimeve të ndjerin Saimir Hoxha dhe punonjësin e policisë Petrit Doda kemi marrë makinën tip foristradë me targa TR3997M me ngjyrë të bardhë që është në administrim nga Policia e Shtetit dhe kemi shkuar në ishull-Lezhë në bregun e lumit Kune-Vain. Sapo kemi shkuar në vendin ku kishte dyshime se në brendësi të ferrave në bregun e lumit kishte bimë narkotike cannabis sativa.

Pasi kemi konstatuar bimë të mbjella të dyshuara si cannabis sativa, në këtë kohë kemi parë përreth zonës nëse kishte njeri dhe kemi filluar kryerjen e veprimeve hetimore, si këqyrja e vendit të ngjarjes, prerja dhe asgjësimi i bimëve narkotike duke marrë një mostër për kampion për të kryer ekspertimin kimik dhe e kemi vendosur në makinë, pasi është djegur e gjithë sasia e lëndës narkotike kemi marrë makinën për të ikur në Lezhë.

Unë isha në drejtim të mjetit, në sediljen e parë ishte i ndjeri Saimir Hoxha, ndërsa në sediljen e pasme ishte inspektori i policisë së rendit Petrit Doda.

Gjatë rrugës kur po ktheheshim në drejtim të Lezhës, rreth 100 metra nga vendi ku ndërpritet shtresa e asfaltit të rrugës automobilistike, jemi shkëmbyer në rrugë me një mjet autoveturë, e cila po lëvizte në drejtim nga Lezha për në Kune, në të cilën ishin tre djem të moshës së re dhe na tërhoqi vëmendjen, pasi ajo zonë është e pabanuar dhe në vendin që hapi krahun për tu shkëmbyer menjëherë janë kthyer pas nesh për në Lezhë, pas makinës tonë. Në këtë moment kemi vënë re që kjo makinë po vinte pas nesh, gjë e cila na ka shtuar akoma dyshimet në lidhje me këta persona, në këto rrethana kemi diskutuar të tre bashkë dhe kemi vendosur që t’i ndalonim për të verifikuar se kush ishin këta persona dhe çfarë po kërkonin në atë zone. Rreth 100 metra pasi kemi kaluar ndërprerjen e asfaltit kam hapur krahun dhe kemi zbritur të tre nga mjeti dhe i kemi bërë më dorë shenjë ndalimi mjetit që vinte pas nesh dhe ky mjet ka ndaluar.

Pas ndalimit të mjetit unë së bashku me Petrit Dodën jemi afruar nga ana e shoferit dhe Petriti ka komunikuar me shoferin e mjetit duke i thënë se jemi punonjës policie dhe i ka kërkuar një dokument identifikimi, letër njoftim ose patentë të drejtuesit të mjetit, në këtë kohë drejtuesi i mjetit ka zbritur nga mjeti, Saimiri ka shkuar tek personi që ishte në sediljen e parë dhe i ka kërkuar një mjet identifikimi i cili iu bind dhe zbriti nga mjeti, ndërkohë Saimiri i është drejtuar pasagjerit që ishte ulur në sediljen e pasme, pas pasagjerit në anën e djathtë të mjetit duke i thënë se kush jeni ju dhe a keni dokument.

Unë kam dëgjuar se ky pasagjer i ka thënë Saimirit “unë nuk jam për t’u kontrolluar” dhe menjëherë kam dëgjuar një krismë armë zjarri dhe kam parë Saimirin duke lëvizur për nga mbrapa mjetit, ndërkohë unë dhe Petriti jemi shmangur në pjesën ku ishte ndaluar makina e policisë në anën e rrugës nga laguna.

Gjatë kësaj kohe që u shmangëm për tu pozicionuar përballë mjetit të policisë kam nxjerrë armën e shërbimit dhe kam parë se automjeti i këtyre personave u nis me shpejtësi për tu larguar në drejtim të Lezhës dhe kam qëlluar disa herë me armën e zjarrit të shërbimit në drejtim të këtij mjeti duke mbajtur vijën e shënimit në pjesën e poshtme të mjetit dhe gomave, ku mjetit i është çarë goma dhe ka vazhduar rrugën në drejtim të Lezhës.

Menjëherë së bashku me Petritin kemi bërë bllokimin e dy personave duke i shtrirë në tokë. Më pas, Petriti ka ikur për të parë Saimirin dhe sapo e ka parë më ka thënë që Saimiri është plagosur. Menjëherë kam lajmëruar ambulancën dhe kemi mbajtur dy personat për t’i shoqëruar në polici.