Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore të siguruar në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, se në një lokal në lagjen “Naim Gjylbegu”, viheshin baste sportive, më celular, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kapën në flagrancë dhe vunë në pranga pronarin e këtij lokali, shtetasin Sh. V., 57 vjeç, banues në Shkodër. Gjithashtu, sekuestruan në cilësinë e provës materiale, celularin e të arrestuarit, me faqe online aktive për vënien e basteve sportive.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. B., 48 vjeç, banues në fshatin Mjedë, pasi u kap në afërsi të fshatit Stajkë, duke transportuar inerte, aktivitet për të cilin nuk kishte licencën përkatëse.