Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Admir Abrija ka dhënë dorëheqjen nga posti. Ai që prej dhjetorit të vitit 2021 mbante postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Nuk ka akoma një version zyrtar apo arësye për dorëheqjen e papritur të tij.
Kush është Admir Abrija
Admir Abrija, lindi në Koplik , më 28 Janar 1978, është i martuar dhe ka një vajzë. Në vitin 2001 ka kryer studimet e larta për Filozofi Sociologji në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, si dhe për Juridik në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës në vitin 2009. Më pas ka kryer studimet për Master në European Business Law në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 2013. Në vitin 2002 është diplomuar në Akademinë Ushtarake Skënderbej duke fituar titullin “Oficer”, si dhe ka kryer studimet pasuniersitare në “Kursin e Lartë për Sigurinë e Mbrojtjen” në Akademinë e Mbrojtjes, në Tiranë në vitin 2012.
Prej 15 Shtatorit 2011, mban titullin Avokat nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Ai ka kryer një sërë specializimesh për çështje ndërkombëtare në disa institucione prestigjoze, ku përmenden:
International Law Enforcement Academy Budapest, Georgia University, Antlanta – USA; International Law Enforcement Academy, Roswell – New Mexico USA; OCRIEST, Paris – Francë; Homeland Security, New York – USA, Mubarak Police Academy, Kairo – Egjipt etj.
Abrija e ka filluar karrierën e tij profesionale si oficer në Ministrinë e Brendshme pranë Gardës së Republikës, duke kryer disa funksione, si: Zëdhënës dhe Këshilltar për Marrëdhëniet me Publikun, Shef për Zyrën e Koordinimit, Shef për Planizimin dhe Koordinimin. Karrierën e tij profesionale e vazhdoi më pas në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe Drejtor në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër.
Në Dhjetor të vitit 2013 emërohet Zëvendës-Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave në Ministrinë e Financave. Gjatë vitit 2017 emërohet Prefekt i Tiranës, duke vijuar më pas të mbajë postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjensisë së Parqeve dhe Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës përgjatë viteve 2018-2019. Për periudhën 2019-2020 ka shërbyer si Kryeinspektor në Inspektoritatin Shtetëror Teknik dhe Industrial në Ministrinë e Infrastrutkurës dhe Energjisë. Z. Abrija është zotërues i gjuhës angleze dhe italiane.