Armando Broja nuk mjafton, Shqipëria mundet në “shtëpi” nga Izraeli, jemi të fundit në grup

Shqipëria zhgënjen sërish,këtë herë ndaj Izraelit në “Air Albania”, ku u mposht me rezultatin 1-2 me përmbysje dhe komplikoi totalisht objektivin për të zënë vendin e parë në grupin 2 të Ligës B.

Katër ditë pas barazimit 1-1 në transfertën islandeze, kuqezinjtë vinin të karikuar për të gjetur fitoren e parë, por sërish luajtën vetëm një pjesë dhe këtë herë dolën duarbosh, në një ndeshje që mund dhe duhej menaxhuar shumë më mirë.


Pas një pjese të parë më të mirë të Shqipërisë, golin e avantazhit e shënoi Armando Broja në shtesë, pasi ekzekutoi saktë një penallti të fituar nga Ivan Balliu.

Në pjesën e dytë u pa një Izrael krejt tjetër, që përfitoi në maksimum nga përgjumja e kuqezinjve dhe ia doli të shënojë dy herë, duke përmbysur rezultatin dhe bërë që në “Air Albania” të bjerë heshtja.

Elseid Hysaj provoi të rikthejë baraspeshën, por goli i tij u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje, ndërsa zëvendësimet e trajnerit Reja sollën ndryshimin e skemës, por jo të rezultatit, që mbeti 1-2 për Izraelin.

Me vetëm një pikë në dy ndeshje, kuqezinjtë mbetet në vendin e fundit dhe tani kreu i grupit bëhet një mision mjaft i vështirë, pavarësisht një edicioni të nisur me pretendime mjaft të mëdha.

Shqipëri-Izrael 1-2 Broja 45’+1 (pen)/ Solomon 57′, 73′