ANALIZË – Përballja Berisha- Basha në PD, në mes moralit dhe rregullave të lojës në një parti politike shqiptare

Ëashtë kthyer në kryetemë të politikës shqiptare. Thuajse është eklipsuar edhe beteja e saponisur në Kuvend pozitë- opozitë. Madje as rritja e çmimit të bukës, që sipas gjasave do të pasohet me çmime të tjera të rritura, nuk po merr hapësirë mediatike. Madje, nuk po nxit biseda as në kafenenë më të rëndomtë të këtij vendi. E gjithë vemendja është përqendruar tek debati, përplasja apo përballja Berisha- Basha në PD.

Nga jashtë Partisë Demokratike, është kthyer gati në tifozllëk të ngjashëm me atë të një ndeshje futbolli. I ngjan pse jo, edhe një ndeshjeje të Champions League. Berisha e drejtoi “de facto” e “de jure” PD- në për rreth 22 vite duke nisur nga 1991. Basha ka hyrë në vitin e 9- të, edhe pse shumëkush aludonte se në prapaskenë ishte edhe…Berisha. Të dy bashkë, rreth 30 vite në udhëheqje të PD- së.

Berisha dhe Basha janë në të njëjtën fushtë të lojës, të cilën duan ta shonin nga këndvështrime të ndryshme. Kryetari aktual Basha e sheh si një betejë morale. E ka përsëritur se vendimi për përjashtimin e Berishës ishte i tij. Për hir të realitetit, edhe brenda vetë PD- së, edhe në mes “qendrestarëve”, ka nga ata që e pranojnë se Berisha duhej të ishte larguar vetë, që pas humbjes së zgjedhjeve të 2013- ës. Të ishte larguar nga politika, ashtu siç bëri Fatos Nano, duke dalë nga skena gradualisht në harkun 2006- 2009, mandati i fundit i tij si deputet.

Por ajë që nuk kapërdijnë dot grupimet e mësipërme, është largimi i Berishës. Pra, largimi me pahir, pak a shumë si vendimi i marrë nga Basha para pak ditëve. Prisnin, kërkonin e mbase ëndërronin, edhe me dhimbje, që Berisha të ikte vetë. Por jo ta largonin, ta hiqnin, ta përjashtonin.

Ndryshe nga Basha, “kali i betejës” së Berishës nuk është morali në kuptimin e parë por respektimi i “rregullave të lojës” në një parti shqiptare. Askush nuk ka mundur të bindë askënd se vendimi i Bashës është i bazuar në një pikët statuti apo rregulloreje të PD- së. Sidomos, në kuptimin e “përjashtim nga grupi parlamentar” i një deputeti. Interpretime ka dhe mund të ketë shumë, por e shkruan e zezë në të bardhë, askush nuk po na e demonstron.

Berisha këmbëngul se vendimi i Bashës për të, është në shkelje të parimeve demokratike në një subjekt politik. E për të verifikuar ligjshmërinë e vendimit të Bashës ndaj tij, ish- kryeministri kërkon mbledhjen e Kuvendit Kombëtar dhe shprehjen e antarësisë me referendum për vendimin e kryedemokratit.

ShkodraWeb Channel

Në fakt, nuk ka shumë logjikë të mblidhet një kongres partie për të certifikuar ose jo vendimin e kryetarit të partisë për një individ. Pavarësisht se Berisha tashmë po lufton ta kthejë në kauzë më të gjërë se ai vetë përfshirjen e antarësisë në vendimmarrje. Historia kokëfortë ka treguar se jo gjithmonë vendimet e marra me bazë të gjërë, kanë qenë më të mirat e mundshme për parti apo shoqërinë njerëzore në përgjithësi.

Si rregull, Berisha nëse nuk është i bindur me legjitimitetin e vendimit të Bashës ndaj tij, mund ti drejtohet Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës, i cili drejtohet aktualisht nga Flutura Açka dhe ka 5 antëtarë. Neni 54 i Statutit të PD- së “Komisioni i Apelimit, Integritetit dhe Etikës”, sanksionon qartë:

1. Komisioni i Apelimit, Integritetit dhe Etikës përbëhet nga pesë anëtarë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar.

2. Komisioni shqyrton ankesat nga anëtarët e PDSH-së kundër masave disiplinore të marra ndaj tyre nga secili organ i partisë, si dhe kujdeset për respektimin e rregullave të bashkëjetesës në Parti dhe normat minimale të sjelljes së anëtarëve dhe respektit ndaj njëri-tjetrit, organeve të partisë dhe funksionarëve politikë të partisë.

3. Gjatë shqyrtimit të ankesave kundër masave disiplinore, Komisioni siguron të drejtën e anëtarit për një proces të rregullt ligjor. Vendimi i Komisionit është i paapelueshëm. Kur një Kryesi vendos të marrë një sanksion kundrejt një anëtari që mban një mandat zgjedhor, ekzekutiv ose parlamentar, ai nuk mund të bëhet publik veçse nëse vendos Kryesia e PDSH-së. Në të gjitha rastet e tjera, Komisioni deklaron vetë publikisht vendimet që merr.

4. Komisioni me kërkesë të Kryesisë së Partisë, shprehet për mospërputhjet e vendimeve të marra nga organet qendrore, kryesitë apo anëtarët, me Statutin e Partisë, si dhe jep vlerësim mbi interpretimin përfundimtar të dispozitave të Statutit. Ai thërret për dëgjim, sipas rastit, të interesuarit.

Sipas këtij neni, Berishës i sigurohet e gjithë hapësira e nevojshme për ankimimin e vendimit të Bashës, përpara se ish- kryeministri ti korkojë bazës demokrate të shprehet me referendum. Këtë herë, ky nen i statutit të PD- së nuk lë shteg për ekuivoke dhe sipas gjasave, edhe Berisha e njeh mirë këtë nen. Nëse jo, Basha apo dikush tjetër mund t’ia kujtojë këtë të drejtë statutore, nëse ka dëshirë ta shfrytëzojë.

Përtej kësaj, duket qartë se Berisha e Basha do të vijojnë përballjen në linjat respektive që kanë zgjedhur. Pak rëndësi ka çfarë shkruan apo ofron Statuti apo si krëqëzohet ai me moralin politik. Ata po përpiqn më shumë për të arritur fitoren e kauzës së tyre, duke marrë sa më shumë mbështetje nga aleatët tek të cilët janë mbështetur apo duan të mbështetën për të triumfuar mbi sho- shoqin. /Nga Sokol N. SOKOLI/

ShkodraWeb Channel

Open

Close